Editoriali:Përkujtimet nuk mjaftojnë

  • 28 March 2017 - 17:08
Editoriali:Përkujtimet nuk mjaftojnë

Në kohën kur çdo ditë përkujtohen masakrat monstruoze që i bëri regjimi serb në Kosovë, shpresat se do të ketë ndonjëherë drejtësi për viktimat vjen duke u zbehur. Raporti vjetor "Koha kalon, Drejtësia për KRIME LUFTE zbehet", i publikuar dje nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë në kuadër të projektit "Monitorimi i Gjykimeve për Krime Lufte dhe Vepra Penale me Prapavijën Politike dhe Etnike gjatë vitit 2016", lë pak vend për të shpresuar. Gjatë vitit të kaluar u shënuan katër gjykime për krime lufte në shkallën e parë, si dhe katër gjykime të tilla në shkallën e dytë pranë Gjykatës së Apelit, ndërsa shumica e këtyre gjykimeve ishin vazhdim të lëndëve që janë hapur në vitet paraprake.

Edhe pse janë qindra krime të rënda të pandëshkuara ende, vetëm dy aktakuza të reja për krime lufte janë ngritur në vitin 2016. Se sa efikas është Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit tregon fakti se vjet asnjë aktakuzë për krime lufte nuk është ngritur nga prokurorët e EULEX-it. Edhe pse tashmë Kosova ka infrastrukturë ligjore për të hetuar, për të zbardhur dhe për të ndëshkuar krimet e bëra, ende ka shumë për t'u bërë në aspektin e zbatimit. Organet kompetente, duke nisur nga Ministria e Drejtësisë, gjykatat, Prokuroria, KGJK-ja dhe KPK-ja, kanë dështuar në adresimin e kësaj plage të hapur, që shkakton edhe më tutje dhembje te qytetarët e Kosovës. Mbi 12 mijë persona të vrarë, mijëra të zhdukur, janë peshë e rëndë mbi drejtësinë e paaftë që të nxjerrë në bankën e të akuzuarve kriminelët dhe urdhërdhënësit.

Vetëm të shprehësh dhimbje për familjarët nuk mjafton, por duhen rezultate. Edhe pse kanë kaluar shumë vjet prej luftës, nëse institucionet do të tregoheshin më të vëmendshme dhe të përkushtuara, sot gjendja do të ishte ndryshe. Por, jo vetëm në rastin e vrasjeve, masakrave, por edhe në dëmet miliardëshe, autoritetet kosovare nuk kanë hedhur as një hap të vetëm. Të dëmtuarit, individë ose biznese, nuk kanë se ku të drejtohen për të kërkuar kompensim, falë Gjyqësorit impotent dhe shtetit të kapur. 

(Kosova Sot)