Editoriali: Shakaja antikorrupsion

  • 29 March 2017 - 16:57
Editoriali: Shakaja antikorrupsion

Edhe raporti i radhës, që vjen nga shoqëria civile, e cila monitoron sistemin gjyqësor dhe prokurorial, ka treguar se luftimi i korrupsionit prodhon vetëm shifra, por jo edhe rezultatet e pritura. Në fakt, rastet e profileve të larta, zakonisht mbyllen që në seancën e parë ose kur përfundojnë, protagonistët, politikanë apo zyrtarë të nivelit më të lartë shpëtojnë pa u hyrë "therrë në këmbë". Kjo është një dëshmi se për korrupsionin ka shumë fjalë dhe fare pak vepra, ka ligje e strategji, por jo veprim të vendosur kundër kësaj dukurie alarmante, që ka përfshirë të gjitha nivelet. Një gjyqtar, një prokuror, një drejtor, një ministër, një deputet, një profesor, një mjek, një anëtar bordi, etj., nuk e ka kurrfarë problemi të marrë apo të kërkojë vetë ryshfet, për të kryer një shërbim korruptiv, favorizues, antiligjor, duke cenuar ligjin, buxhetin e shtetit, të drejtat e njeriut. Duke hasur në padrejtësi në dyert e gjykatave, qytetarët tashmë nuk kanë nga t'ia mbajnë.

Nëse nuk e kanë shpinën e fortë, i pret një odise e vështirë, shumë shpenzime dhe në fund, e pësojnë. Po nuk pate të njohur nga rrethet e larta politike, pushtetore apo eventualisht, nëse nuk e ke xhepin plot, për t'ia mbushur ca edhe atij apo asaj, që ka rastin, zor se do të gjesh drejtësi. Në vend të standardit të sundimit të ligjit, shteti i kapur ka vendosur standardin e padrejtësisë. Korrupsioni nuk është diçka e pavërejtshme, sepse nuk duhet të jesh prokuror apo hetues, për të parë se si po pasurohen disa zyrtarë paligjshëm me rroga mesatare. Por, edhe mekanizmat hetues antikorrupsion si duket janë të politizuar dhe të inkriminuar. Policia për krime ekonomike, për shembull, rastet që do të duhej t'i trajtonte nuk i prek kurrë, ndërsa merret me gjëra të parëndësishme, inicion kallëzime penale shantazhuese, por nuk është se prodhon diçka të vlefshme për punën e mëtejshme të prokurorisë. Edhe vetë policët hetues, prokurorë, gjykatës që vendosin, do të duhej t'i nënshtroheshin një verifikimi të pasurisë së tyre, shpesh të pajustifikueshme. 

(Kosova Sot)