Editoriali: Kujt i përgjigjen prokurorët dështakë?

  • 17 May 2017 - 17:02
Editoriali: Kujt i përgjigjen prokurorët dështakë?

Pas një periudhe në pozitën e kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi është detyruar ta pranojë edhe publikisht se është vështirë të detyrohen prokurorët që ta bëjnë punën e tyre me ligj dhe ashtu si duhet. Në takimin e djeshëm të Këshillit Prokurorial të Kosovës, shpërthimi i Lumezit ndaj dështimeve në Prokuroritë e vendit lë për të kuptuar se situata në sistemin tonë të drejtësisë është tepër alarmante. Nëse ju kujtohet afera "Pronto", është më se e qartë pra se pjesa dërrmuese e prokurorëve, sidomos atyre që kanë rastet e ndjeshme, në vend që t'i raportojnë e t'i japin llogari shefit të tyre të ligjshëm, në fakt këtë e bëjnë ndaj mafio-oligarkëve të politikës, që me gjasë edhe i kanë emëruar. Statistikat tregojnë se krimet e rënda ekonomike dhe aferat korruptive nuk po i heton dhe nuk po i gjykon askush. Kallëzimet penale, që janë serioze dhe kanë prova e argumente të bollshme për të ngritur aktakuza nga prokuroria, zakonisht nga frika dhe interferimi, as që merren në shqyrtim serioz nga prokurorët përgjegjës.

Ndërkohë, kur është puna sa për numër, për ndonjë shantazh ndaj personave të caktuar, aktakuza mund të ngrihet shumë shpejt. Për milionat e korrupsionit nuk brengoset njeri, kurse për ndonjë rast me dhjetëra ose qindra euro, prokuroria nxiton ta shpallë si sukses të vitit. Kjo mënyrë e punës është e pafalshme. Prokuroria e Shtetit do të duhej që rast për rast të vlerësojë se përse nuk janë duke u ngritur, bllokuar apo zvarritur aktakuzat. Pas secilit rast, gjithmonë qëndron dikush dhe janë pikërisht lidhjet klienteliste, korruptive, ndikimi i thellë politik, që e pengojnë prokurorinë e prokurorët veç e veç të ketë sukses në punën e saj. Koha është që kryeprokurori i Shtetit, si kreu i organit të akuzës, të dalë me emra dhe mbiemra, të prokurorëve dështakë, në konflikt interesi, që qëllimisht zvarrisin rastet e caktuara, duke hedhur njollë të keqe mbi tërë sistemin e drejtësisë.

Gjithashtu, prokurorët që mungojnë në seanca, abuzojnë me pozitën e tyre, të paetikë e integritet profesional, do të duhej që të përballeshin me masa konkrete deri në shkarkimin e tyre. Prokuroria duhet të kthehet në shërbim të qytetarëve, për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin galopant në vend. 

(Kosova Sot)