Editoriali: Partisë i duhen servilët, por shteti nuk bëhet me ta

  • 24 May 2017 - 17:05
Editoriali: Partisë i duhen servilët, por shteti nuk bëhet me ta

Kur sheh përbërjen e listave të kandidatëve për deputetë, të bie në sy një gjë e përbashkët. Besnikët e partisë, të dëgjueshmit, ata që s'e hapën gojën kurrë, të dobët, servilët, të nënshtruarit, pakurrizorët, të inkriminuarit, janë goxha mirë të renditur, duke lënë pas tyre, emra të papërlyer, figura të reja, që hyjnë në politikë me shpresën për ndryshim. Por, të ndryshosh diçka në këtë skenë politike të zhytur deri në fund, duket se është mision i pamundur. Për entuziastët e kësaj gare, listat tregojnë se nëse je i dëgjueshëm ndaj shefit, ndaj partisë, je gjithnjë potencialisht, i preferuar për të qenë i renditur mirë në listë. Nëse ke shfaqur kritika, kundërshtime ndaj temave të ndryshme, nuk je pajtuar si deputet, sepse ke pasur të drejtë, subjekti që vendos për kandidimet, nuk e çmojnë shumë këtë lloj përfaqësimi. Në rastin më të keq, nuk figuron fare në mesin e kandidatëve. Ilustrimi më i mirë është përjashtimi që i bëri LDK-ja Shpejtim Bulliqit, deputetit të saj në legjislaturën e shpërbërë tashmë. Ai ishte zëri më i artikuluar nga pikëpamja shkencore dhe politike, kundër një marrëveshjeje të gabuar të Demarkacionit të kufirit të nënshkruar nga ish-ministri i Jashtëm, aktualisht president i vendit. Mesazhi që dërgojnë partitë tona me vendime të tilla përjashtuese, është shumë negativ, sepse nëse çdo përfaqësues i sovranit do të heshtë, kur të ulet në Kuvendin e Kosovës, atëherë do të kishim të bënim me një parlament jofunksional. Partitë do të duhej që njerëzit më të zëshëm, më kritikë, më profesionistë, t'i dërgonin në Kuvend, në mënyrë që qeveria e ardhshme të përballej me një mbikëqyrje të rreptë, me kërkesa serioze për të përmirësuar institucionet e degraduara dhe sektorët e lënë pas dore. Republika nuk bëhet me njerëz servilë, sepse këta të fundit janë mësuar të duatrokasin për shefin, të shijojnë privilegjet e pamerituara, por të mos bëjnë asgjë të dobishme për shtetin dhe shoqërinë. 

(Kosova Sot)