Editoriali: Kur oligarku "fal" 32 milionë !?

  • 25 May 2017 - 17:12
Editoriali: Kur oligarku

Një oligark si Blerim Devolli nuk do t'ia falte PTK-së dhe shtetit të Kosovës një cent, e lëre më 32 milionë euro gjobë, që Arbitrazhi ndërkombëtar ia shqiptoi kompanisë publike për shkak të shkeljes së një kontrate të inkriminuar me "Z-Mobile". Nuk duhet të jesh ekspert dhe ndonjë profesionist i shquar për ta kuptuar se në këtë skemë tipike mafioze e kriminale, që zhvillohej prej shumë vjetësh nën hundën e organeve tona shtetërore, para syve të krerëve të institucioneve, përballë Qeverisë, si aksionare e Telekomit të Kosovës, ku dukej qartë se ishin përfshirë zyrtarë të lartë të shtetit, politikanë, biznesmenë e sekserë. Nëse gjoba do të ekzekutohej, PTK-ja do të shkonte drejt falimentimit. Kontrata me "ZMobile" është ndër më të pafavorshmet që është bërë nga ish-kompania më fitimprurëse publike, por e nënshkruar nën presionin e atyre që e kanë bërë ligjin në Kosovë për tërë këto vite, ose gjithnjë "mbi ligjin" e në shkelje të tij. Pronari i operatorit virtual, i njohur për lidhjet me pushtetin (afera 'Pronto'), prej kohësh po ndërmerr lëvizje biznesore, duke zhvendosur kapitalin dhe pronësinë në kompani off-shore, jashtë vendit, dhe dyshimet janë të mëdha se fjala është për depozitat e mëdha që ikin nga Kosova. Por, u mbetet organeve të drejtësisë të hetojnë dhe të zbardhin të vërtetën, nëse kanë guximin dhe nuk u nënshtrohen pushtetarëve të inkriminuar . Një pakt i fshehtë për ta lënë në paqe oligarkun e njohur kosovar është shumë i mundshëm, duke pasur parasysh prokurorinë dhe gjyqësinë e politizuar të Kosovës, si dhe lidhjet mafioze, klienteliste, korruptive mes politikanëve dhe bizneseve të inkriminuara në këtë rast dhe jo vetëm. Nëse një pjesë e lidershipit ka faj, sepse dyshohet se është përfshirë direkt në këtë zhvatje sistematike të pasurisë publike, një pjesë tjetër që tash kujtohet të flasë e të bërtasë ka përgjegjësi për heshtjen disavjeçare sa ishte në krye të pushtetit dhe nuk mbështeti asnjë nismë për debat parlamentar, në lidhje me këtë mega-aferë. Gjithsesi, ligjit nuk do të duhej t'i shpëtonte askush dhe në këtë rast Qeveria e re kosovare duhet të kërkojë një hetim ndërkombëtar nga FBI-ja, për ta zbardhur të vërtetën e plotë. 

(Kosova Sot)