Editoriali: KQZ-ja gëlltit miliona, zvarrit rezultatet

  • 16 June 2017 - 17:02
Editoriali: KQZ-ja gëlltit miliona, zvarrit rezultatet

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të vetmen punë që e ka është organizimi, mbikëqyrja e procesit zgjedhor dhe nxjerrja e rezultateve. Edhe pse u bënë kaq vite, KQZ-ja, e udhëhequr nga Valdete Daka, me përbërje tërësisht partiake, ende është e paaftë të mbledhë, përpunojë e të dalë me të dhëna të sakta për një kohë të shkurtër. Rezultatet e vetme janë përqindjet e partive, por jo edhe votat e kandidatëve. Numërimi dhe përpunimi i të dhënave merr dy deri në tri javë, por mund të zgjasë edhe më shumë deri në certifikimin e rezultateve nga KQZ-ja. Një zvarritje e tillë është krejtësisht e papranueshme. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve merr miliona euro nga buxheti i shtetit, për të siguruar një proces zgjedhor korrekt, por ende nuk është në gjendje të garantojë publikimin e shpejtë të rezultateve të votimeve. Edhe në ditën e diel, më 11 qershor, serveri i KQZ-së ra, duke pamundësuar transparencën në numërimin e votave. Këto telashe dhe shtyrje të rezultateve, krijojnë paqartësi në opinionin publik dhe nxisin gjithfarë dezinformatash. Nëse marrim për bazë deklaratat e kandidatëve të ndryshëm që pretendojnë se janë bërë deputetë, i bie që kuvendi i ri të ketë jo 120, por të paktën 150 të tillë. Në portale përditë rrjedhin procesverbale nga numërimi i votave të kandidatëve të partive apo koalicioneve, ndërsa KQZ-ja hesht. Transparenca, në këtë aspekt, është zero, ndërsa në radhët e subjekteve garuese, kjo periudhë deri në certifikimin e rezultateve është e mbushur me pakënaqësi, akuza, dyshime për vjedhje, blerje komisionerësh etj. Nëse KQZ-ja do të ishte më funksionale dhe efikase, kjo zhurmë do të shmangej. Por, për sa kohë askush nuk e adreson këtë problematikë shqetë- suese, që nuk është e vetmja në fakt, do të vazhdohet me abuzimin në procesin e numërimit të votave. Qeveria dhe Kuvendi i ri duhet ta obligojnë me ligj KQZ-në, që rezultatet të dalin menjëherë dhe jo të pritet një muaj. 

(Kosova Sot)