Kushtetuta problematike dhe shteti i kapur

  • 17 June 2017 - 16:58
Kushtetuta problematike dhe shteti i kapur

Kosova sërish po i rikthehet një situate të ngjashme me vitin 2014, duke rrezikuar kështu një bllokadë tepër të dëmshme për stabilitetin e vendit, me pasoja dramatike, veçmas për ekonominë. I tërë lëmshi politik rrjedh nga ajo që qytetarët e njohin si "KAPJA E SHTETIT". Një vendim i Gjykatës Kushtetuese, para tre vjetësh, e ka qartësuar se kush e ka të drejtën e mandatarit të Qeverisë, ndërsa me një shpjegim ia lë në diskrecionin e presidentit mandatimin e një kandidati të dytë, nëse fituesi i zgjedhjeve nuk i arrin votat e nevojshme në Kuvend. Pas 11 qershorit, veshët po na dëgjojnë interpretime të ndryshme, ndërsa opinioni është i vërshuar nga paqartësitë e shumta, pikërisht për shkak të Kushtetutës problematike, si dhe interpretimit, me gjasë nën ndikimin e PDK-së, nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Krijimi i një precedenti nga Gjykata i ka detyruar partitë të bëjnë gjithfarë koalicionesh, vetëm e vetëm që të sigurojnë vendin e parë. Kështu, myslimanë e katolikë, komunistë e ballistë, të djathtë e të majtë, radikalë e të moderuar, janë bërë bashkë në koalicione, duke synuar vendin e parë. Me gjasë, kjo uri për pushtet çoi ujë në mullirin e Lëvizjes 'Vetëvendosje', e cila, në mungesë të ndonjë alternative të re serioze, dyfishoi votat më 11 qershor. Por, fituesi natyrisht që nuk ishte ky subjekt, sepse më shumë vota mori koalicioni PDKAAK-NISMA. Albin Kurti pretendon se e ka të drejtën, si parti e parë në bazë të votave, që ta bëjë Qeverinë, por koalicioni PAN rezulton i pari, edhe pse brenda tij rezultatet dëshmojnë për një debakël të PDK-së së konsumuar në pushtet, të inkriminuar e të stërpasuruar. Ramush Haradinaj është kandidati i PAN-it për kryeministër, që do të provojë të sigurojë votat e nevojshme të deputetëve, por në rast të dështimit sërish do të hyjmë në një cikël paqartësish kushtetuese dhe krize politike. Për të nxjerrë mësim nga këto përplasje me Kushtetutën, institucionet e reja punën e parë duhet ta korrigjojë Kushtetutën, që të mos kemi kriza të tilla pas zgjedhjeve.

(Kosova Sot)