Editoriali: Pushteti është i ëmbël, të gjithë e duan

  • 19 June 2017 - 16:56
Editoriali: Pushteti është i ëmbël, të gjithë e duan

Pas zgjedhjeve të 11 qershorit, duke e parë rezultatin e ngushtë dhe pamundësinë e secilit koalicion apo parti, që ta bëjë e vetme qeverinë, opinioni publik po vërshohet me deklarata refuzuese nga kampet politike, në lidhje me formimin eventual të partneriteteve të reja qeveritare. Pra, ende pa u ulur në tryezën e bisedimeve, siç ndodh kudo në vendet demokratike, dhjetëra politikanë kosovarë nxitojnë t'u tregojnë qytetarëve se e kanë ndërmend ta bllokojnë shtetin, t'i paralizojnë institucionet e ta fusin vendin në një cikël të ri krize, duke harruar zotimet e tyre të para pak ditëve, se do të angazhohen për Republikën, për integrim dhe zhvillim. Kjo është fytyra e politikës kosovare, demagogji dhe korrupsion i pafund. Të gjithë e dimë fare mirë se sapo të certifikohen rezultatet, shumë nga këto përbetime të zjarrta politike, do të shuhen. Pjesa dërrmuese e atyre emrave, që shihet se do të jenë pjesë e legjislaturës së re, nuk premtojnë ndonjë befasi pozitive sa u përket matematikave të formimit të qeverisë. Qysh tani, në sytë e partiakëve kosovarë, fitues apo humbës, vizatohen pozitat e ndryshme, që u sjellin para dhe luks. Përtej deklarimeve që bëjnë në publik për vija të kuqe e vija të zeza, në të vërtetë secila parti ia ka mësyrë pushtetit me një qëllim të vetëm - të fitojë sa më shumë nga torta e pushtetit, e ta vërë atë në dispozicion të oligarkëve, klaneve të tyre, klienteleva që përfaqësojnë, duke harruar tërësisht interesin publik. Fatkeqësia e vendit tonë është se pavarësisht se dikush u rrudh e një tjetër u rrit në këto zgjedhje, të gjithë mbeten të njëjtë në lakminë e tyre për ta zhvatur shtetin. Urojmë që të jetë ndryshe me qeverinë e re, që do të dalë, por nëse vazhdohet me mentalitetin e njëjtë, shpresat janë minimale. Kosova është e lodhur nga zhvatësit dhe keqpërdoruesit e besimit të popullit. Çuditërisht, edhe pse disa mbetën jashtë Kuvendit, plot prej tyre, sërish do të ulen aty ku ishin, si për të na përcjellë mesazhin e vazhdimësisë së të keqes, që ka kapluar Republikën. 

(Kosova Sot)