Editoriali: Kur humbësit nuk lëshojnë rrugë

  • 24 July 2017 - 17:12
Editoriali: Kur humbësit nuk lëshojnë rrugë

Në vendet ballkanike është bërë traditë tashmë që edhe nëse i humb zgjedhjet, edhe nëse i humb thellë ato, nuk ka kurrfarë pengese që lideri të vazhdojë "mbretërimin" e tij. Lidershipi autokrat është rrënjosur thuajse në çdo parti apo lëvizje të re politike që krijohet. Nga të voglat, deri të mëdhatë, krerët sillen si t'i kishin këto organizata politike, pronë të tyre private. Kur vijnë në pushtet, qeverisin me të njëjtën formë, duke instaluar minidiktatura në sektorët që u bien hise kur ndahet torta e pushtetit. Politikanët shqiptarë, që e kanë gojën plot vlera perëndimore, janë ata që më së shumti e ndjekin këtë model negative të të bërit politikë. Në Shqipëri për shembull, demokratët pësuan humbjen më të rëndë që nga krijimi i PD-së, por ky fakt ishte i parëndësishëm, duke ia ribesuar kështu në një proces zgjedhor të shpejtë, edhe një mandat liderit të saj Lulzim Basha. Shembuj të ngjashëm kemi sa herë mbahen zgjedhjet edhe në Kosovë. Liderët pësojnë humbje pas humbjeje, por sa më shumë humbasin, aq më tepër bëhen pjesë e prapaskenave dhe pazareve politike, duke i zhgënjyer votuesit e tyre. Nuk ka parti në Kosovë që nuk ka humbur më tepër se një herë zgjedhjet, por as që e ka diskutuar mbetjen e lidershipit të njëjtë. Këtu jo vetëm që nuk ndryshon lideri, por edhe shpura përreth tij është zakonisht e njëjta. Kryetarët e partive, de fakto, janë si "mbretër" të pashpallur, që vendosin për çdo gjë vetë, ndërsa forumet partiake i shndërrojnë në dekor të vendimmarrjes së tyre autoritare. Nëse vërtet këto parti dhe këta liderë besojnë në vlerat e demokracive moderne, atëherë duhet të ndjekin edhe modelet e tyre të politikëbërjes. Partitë duhet ta instalojnë mekanizmin e detyrueshëm të dorëheqjes së liderëve përgjegjës. Kosova, sigurisht se do të ishte shumë më përpara, nëse do të aplikohej një rregull i tillë më herët. Për t'u çliruar nga kapësit e shtetit, nuk ka mbetur rrugë tjetër!

(Kosova Sot)