Editoriali: Mos e futni kokën në rërë si struc

  • 25 July 2017 - 17:22
Editoriali: Mos e futni kokën në rërë si struc

Ndërsa vëmendja e opinionit publik është e fokusuar te zhvillimet në prag të seancës konstituive të 3 gushtit, të thirrur dje nga presidenti i vendit, deklarimet e guximshme vijnë nga lidershipi i Serbisë, në raport me Kosovën. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka dhënë sinjale të qarta se shteti i tij nuk mund t'i shmanget njohjes së fqinjit, që dikur e sundoi dhe ushtroi dhunë mbi popullin shqiptar. Teksti autorial i presidentit serb dëshmon se dalëngadalë po vjen koha që Serbia të heqë dorë nga qëndrimi i saj armiqësor ndaj Republikës së Kosovës. "Koha është që ne si popull të mos e fusim më kokën në rërë si struci dhe të provojmë të jemi më realë, të mos lejojmë të humbim ose dikujt t'ia dorëzojmë atë që e kemi, por edhe të mos presim që në duar do të na vijë edhe ajo të cilën qëmoti e kemi humbur", ka shkruar Vuçiq, i cili e pranon botërisht se shqiptarët, në realizimin e ideve kombëtare, e kanë mbështetjen e vendeve perëndimore. Duket se më i vetëdijshëm për një gjë të tillë është lideri serb sesa liderët shqiptarë, që janë të zënë në luftën e tyre të egër për pushtet, këndej dhe andej kufirit. Qartësimi i raporteve Kosovë-Serbi është i domosdoshëm për të ardhmen e të dyja vendeve. Zgjidhja e asaj që Vuçiq e quan nyja gordiane-çështja e Kosovës, kalon nëpër filtrin e rrugëtimit drejt Bashkimit Evropian. Kosova, që nga koha e nisjes së dialogut me Serbinë, është treguar zemërgjerë dhe dorëlirë falë politikanëve të pakujdesshëm, që negociuan, duke bërë marrëveshje me pasoja. Në fazën e fundit të dialogut, kur edhe pas paralajmërimeve të presidentit serb mund të pritet një njohje e realitetit kosovar, politika jonë zyrtare duhet të jetë e kujdesshme që të mos rrëshqasë në kompromise të reja. Njohja është më se e domosdoshme, për shkak të pengesave që janë krijuar nga Serbia dhe aleatët e saj, por kjo nuk do të thotë që të lëshojmë pe sërish në çështje të ndjeshme, duke cenuar pasuritë kombëtare dhe integritetin territorial.

(Kosova Sot)