Editoriali: Pa marrëveshje, drejt seancës së 3 gushtit

  • 26 July 2017 - 17:16
Editoriali: Pa marrëveshje, drejt seancës së 3 gushtit

Thirrja e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës me datën 3 gusht, paralajmëron zhvillime të reja, ndërsa ende është e paqartë, nëse do të zgjidhet kryetari i ri i Parlamentit dhe qeveria e re. Edhe pse koalicioni PAN thotë vazhdimisht se i kanë numrat, është e pakonfirmuar, qoftë edhe një deputet i vetëm nga Lëvizja 'Vetëvendosje' apo koalicioni tjetër LAA se do ta votojë të nominuarin për kryeministër Ramush Haradinaj. E pasigurt është edhe vetë zgjedhja e kreut të Kuvendit, ku kryeparlamentarit aktual, nuk e ka konfirmuar se ai do të jetë sërish kandidati i PDK-së. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese në rastin e Bllokut të vitit 2014, e ka saktë- suar se posti i kryetarit të legjislativit i takon partisë apo koalicionit të parë në zgjedhje, që në këtë rast është koalicioni PAN. 'Vetëvendosje' është kategorikisht kundër Kadri Veselit, ndërsa edhe LDKja nuk duket se do t'ia jepte votat njeriut që e rrëzoi Isa Mustafën nga pozita e kryeministrit. Gjithsesi, për të shpresuar në një dështim eventual të PAN-it, që t'u vijë radha të tjerëve, VV dhe LAA duhet ta zhbllokojnë situatën. Nëse, vërtet, PAN-i i ka numrat, pra mbi 61 deputetë, këta janë të mjaftueshëm për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe qeverinë e re. Sidoqoftë, nëse koalicioni i parë në zgjedhje llogarit në ndonjë rrjedhje votash, deri tash e pazyrtarizuar, kjo është politikisht e paqëndrueshme. Së fundmi edhe vetë Lista Serbe ka shfaqur hapur kushtëzimet e saj ndaj shqiptarëve, duke përmendur edhe shifra deputetësh (51), nëse duan ta kenë edhe mbështetjen e tyre. Drejt seancës së 3 gushtit ka shumë pikëpyetje, por janë deputetët e Kuvendit të Kosovës që duhet t'i japin një zgjidhje kësaj situate të koklavitur. Është e qartë se nëse kjo seancë mbahet pa arritur të paktën një marrëveshje politike mes PAN-it dhe të paktën, ndonjë subjekti më të vogël, si AKR-ja për shembull, vota për kryeparlamentarin e ri është në dyshim. Ngjashëm do të jetë situata edhe për votimin e kryeministrit të ri.

(Kosova Sot)