Editoriali: Basketbollisti Rikalo

  • 18 September 2017 - 17:26
Editoriali: Basketbollisti Rikalo

Me gjasë, skandali i Aleksandër Jabllanoviqit, që fyeu familjarët e të pagjeturve dhe u shkarkua, pas protestave masive dhe një presioni të madh publik, nuk do të jetë i vetmi. I sapoemëruari në qeverinë e re, ministri i Listës Serbe, Nenad Rikalo, është vënë nën akuza nga disa banorë të Prishtinës, për krime lufte. Çuditërisht, organet shtetërore, me shpejtësi rekorde, kanë "verifikuar" të kaluarën e tij dhe nuk kanë gjetur asgjë për t'u dyshuar. Kosova, falë politikanëve të dështuar, që e falimentuan edhe sistemin e drejtësisë, ka pranuar të krijohet një Gjykatë Speciale, ku të vetmit kosovarë - në fakt shqiptarë -do të jenë ish-komandantë të UÇK-së, të cilët do të gjykohen për krime lufte, bazuar në akuzat e raportit të Dik Martit. Në njërën anë pushteti ynë i inkriminuar dhe i shantazhuar ishte në gjendje të bënte një kompromis të tillë, që do të dëmtojë tej mase imazhin e Republikës, kurse në anën tjetër e ka mbyllur gojën për ministrin e akuzuar nga banorët. Po të ishte çështje që u intereson oligarkëve të politikës kosovare, ata do ta aktivizonin menjëherë prokurorinë, të cilën e kontrollojnë. Sa e sa herë janë hapur hetime e janë ngritur aktakuza për t'ua mbyllur gojën rivalëve politikë, njerëzve që ia duan të mirën këtij vendi, nga pushtetarët e zhytur deri në fyt në afera korruptive e skandale të tipit "Pronto"! Por, me anëtarin serb të qeverisë "Haradinaj" mjaftohen me konstatimet që s'u beson askush të Agjencisë së Inteligjencës dhe mekanizmave të tjerë të sigurisë. Rikalo thotë se deri në fillim të luftës luante basketboll në Prishtinë dhe nuk kishte telashe me askënd, por ai duhet të ballafaqohet me ata që e akuzojnë publikisht për keqtrajtim. Le ta provojë Gjykata fajësinë apo pafajësinë e tij. E që drejtësia të veprojë lirshëm, e pakushtëzuar nga politika, ky ministër i dyshuar për krim duhet të shkarkohet. Qeveria aktuale varet nga votat e Listës Serbe, por nuk duhet të lejohet që drejtësia të nëpërkëmbet dhe shteti të shantazhohet!

(Kosova Sot)