Editorial: Makineria kriminale mban peng zhvillimin

  • 21 September 2017 - 17:23
Editorial: Makineria kriminale mban peng zhvillimin

Pasi e kërcënoi koalicionin PAN-AKR me votën kundër Qeverisë dhe drejtoi akuza të rënda ndaj presidentit aktual, Gjykata Supreme, me shpejtësi, ka vendosur në favor të ankesës së kandidatit të Nismës për Kosovën, për kryetar të Prizrenit. Zafir Berisha u decertifikua nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për shkak se kishte një dënim gjykate për një faturë të papaguar. Çuditërisht, deputetit në fjalë nuk i kishte dalë asnjë pengesë për të kandiduar në zgjedhjet parlamentare, por në garën për zgjedhjet lokale, KQZ-ja e kishte hequr nga lista. Lufta politike për Komunën e Prizrenit është ndër më të ashprat. PDKja, që e qeveris këtë Komunë, e konsideron atë si "Jerusalemin" e saj. Kryetari aktual vazhdon të përballet me drejtësinë për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Por, rasti i Zafir Berishës ngre pikëpyetje të mëdha, për mënyrën se si funksionon sistemi ynë i drejtësisë. Kërcënimet dhe shantazhet ndaj pushtetit mund të kryejnë punë, kur qeveritarëve u rrezikohen pozitat. Një votë sot në Parlamentin e Kosovës ka vlerë të jashtëzakonshme. Qeveria "Haradinaj" ka vetëm 61 vota, ndërsa nga dita në ditë, ndonjëra prej tyre mund të rrjedhë në drejtim të opozitës, e cila po ndihet fort komode, duke pasur përballë një koalicion të pafuqishëm, koalicion pazaresh, të varur krejtësisht nga Beogradi. Gjykata Supreme mund të ketë qenë krejtësisht e lirë për të vendosur për rastin e deputetit Berisha, por presioni i shtuar publik dhe akuzat ndaj presidentit Thaçi janë të njohura për të gjithë qytetarët. Kostoja politike e eliminimit të deputetit të PAN-it nga gara për Prizrenin mund të ishte shumë më e lartë, sesa dëmi që ia shkakton PDK-së, kapëses kryesore të shtetit, konkurrenca e këtij kandidati. Si rrjedhojë, Gjykata nxori vendimin e "duhur". Por, simbolika e historisë së decertifikimit dhe rikthimit të Zafir Berishës në garën për kryetar komune është e thjeshtë- Makineria kriminale, që mban peng zhvillimin e Republikës, është ende mjaft aktive dhe si e tillë përbën kërcënim për vendin. Pa e shkatërruar atë tërësisht, ky shtet nuk do të ecë përpara.

(Kosova Sot)