Editoriali: Të vdesësh nga fruthi!

  • 13 October 2017 - 17:07
Editoriali: Të vdesësh nga fruthi!

Fruthi është një sëmundje e parandalueshme, por ja që edhe në vitin 2017 në shtetin tonë demokratik e të pavarur njerëzit mund ta pësojnë keq. Sidomos komunitetet, që janë të margjinalizuara e të lëna pas dore. Një foshnje 14-muajshe është ndarë nga jeta këtë javë. Të paktën 100 persona të komunitetit rom rezultojnë të prekur me fruth dhe kanë kërkuar ndihmën mjekësore në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë. Të përballur me këtë epidemi, jeta e tyre është rrezikuar, ndërsa numri i të prekurve mund të shtohet. Është fare e qartë se shteti ka dështuar që t'u ofrojë kujdesin e duhur shëndetësor, në mënyrë që një sëmundje lehtësisht e parandalueshme dhe e kontrollueshme të mos bëhet shkaktar për vdekje. Edhe pse Kosova radhitet në mesin e vendeve me përqindje të lartë të vaksinimit, rastet e fundit tregojnë se ka lëshime në këtë drejtim. Shëndetësia kosovare po përballet me një krizë të thellë prej vitesh, ndërsa asnjë qeveri nuk ka arritur të vendosë rend dhe rregull në këtë sektor. Së fundmi, edhe drejtori i Shërbimit Spitalor, i përfolur në aferën "Pronto", dha dorëheqje pas skandalit me përdorimin e një gazi të dyshimtë në sallat e operacioneve në QKUK, ku pati vdekje të pacientëve, që po hetohen nga autoritetet kompetente. Sektori shëndetësor është shndërruar në një "gjah" të majmë për pushtetarët që administrojnë buxhete shumëmilionëshe e si rrjedhojë jeta e njeriut më së paku vlen për sistemin aktual. Duhet një reformë e thellë, për t'ua kthyer shërbimet mjekësore qytetarëve, shumica e të cilëve janë pa kurrfarë sigurimi. Dështimi i qeverive të deritashme, për të aplikuar një model të pranueshëm sigurimesh shëndetësore, tregon se sa seriozë kanë qenë politikëbërësit tanë. Sot, refreni që dëgjon nga secili është "mos u bëfsh për spital", sepse këta, jo vetëm që nuk të shërojnë, por të sëmurin edhe më tepër! Ndoshta, politikanët që e gremisën këtë vend duhet të përballen vetë me fruthin, që të reflektojnë se sa poshtë e kanë katandisur sistemin shëndetësor.

(Kosova Sot)