Editoriali: Drejt zgjedhjeve, pa asnjë model të suksesshëm

  • 16 October 2017 - 17:06
Editoriali: Drejt zgjedhjeve, pa asnjë model të suksesshëm

Ndërsa data e zgjedhjeve lokale afrohet, kandidatët duket se janë shpenzuar në një fushatë të gjatë njëmujore dhe nuk kanë më edhe çfarë të thonë. Në paraqitjet e tyre publike, ata thjesht po përsërisin veten, sepse u janë shpenzuar edhe premtimet elektorale. Për votuesit, kjo situatë e shton edhe më tepër konfuzionin, në vend që të krijonte mundësi për qartësimin e alternativave që ofrohen. Në fakt, problem kryesor edhe në këto zgjedhje është mungesa e një shembulli pozitiv, që mund të ndiqej nga të tjerët. Në dydekadëshin e pasluftës, politika kosovare nuk arriti të krijojë as edhe një model që të merrej si shembull i qeverisjes së mirë, të përkushtuar ndaj qytetarëve dhe shtetit. Asnjë parti nuk mund të mburret se bëri ndonjë gjë të hairit në qeverisjen lokale, që do të shërbente si shembull për të tjerët. Asnjë komunë në Kosovë nuk është në nivelin që të tjerët të thonë: do të donim të bëheshim si ajo! Në Prishtinë për herë të parë iu dha shansi Lëvizjes "Vetëvendosje" dhe Shpend Ahmetit, ndonëse të paprovuar dhe të pamerituar, por ata e shpërdoruan tepër një mundësi të tillë, duke e degraduar dhe duke e tejkriminalizuar edhe më tutje kryeqytetin. Vetëm me kifle nuk mund të mbulohet dështimi i rëndë i klanit të tejinkriminuar të VV-së në kryeqytet, aty ku ishte mundësia për të bërë kthesën e për të promovuar qeverisjen ndryshe. Ajo që krijoi e dëshmoi katërçipërisht edhe VV-ja, por edhe partitë e tjera anekënd Kosovës, është vetëm keqqeverisja klienteliste, korruptive , nepotike, përmes klaneve të tyre mafioze e kriminale . Edhe pse individët e mirë nuk mungojnë në këtë garë, për fat të keq, partitë tanimë të inkriminuara ,të cilat gjithsesi do ta përcaktojnë kursin qeveritar, pas 22 tetorit, në thelb udhëhiqen detyrimisht nga korporatokracia kriminale në krim të organizuar, dhe interesat e ngushta që rrethojnë liderët përkatës. Derisa subjektet tona nuk demokratizohen dhe nuk i hapin dyert për një frymë të re politikëbërësish, kjo gjendje në demokracinë tonë të brishtë vetëm mund të përkeqësohet. Gara për pushtetin lokal është më tepër formale, sepse kushdo që fiton, prapa i qëndron partia e vet e inkriminuar, që promovon mafio-oligarkinë e kriminalizuar dhe as që mërzitet t'u shërbejë ndonjëherë qytetarëve.

(Kosova Sot)