Editoriali: Një pauzë kriminale

  • 17 October 2017 - 16:56
Editoriali: Një pauzë kriminale

Kur e morën mandatin nga votuesit e këtij vendi, secili deputet e bëri një betim, në të cilin zotohen se do të punojnë për interesin e qytetarëve, por koha po tregon se ky Kuvend po e shkel me dy këmbët betimin e dhënë. Një muaj fushatë zyrtare, por edhe javë të tëra përgatitjeje, e ka lënë të shkretë Kuvendin, edhe pse nevoja për të përshpejtuar procesin ligjbërës, për të shtyrë përpara marrëveshjet e bllokuara, është emergjente. Sidoqoftë, përfaqësuesve të popullit, të cilët tashmë veç të tillë nuk mund të jenë, as që po u bie ndërmend për të dhënë ndonjë kontribut në parlamentarizëm, të paktën jo pa u kryer zgjedhjet lokale. Por, mos të harrojmë se të dielën më 22 tetor përfundon vetëm raundi i parë, ndërsa sipas parashikimeve, shumë komuna do të shkojnë në balotazh. Kjo do të thotë se pauza parlamentare nuk përfundon në fund të kësaj jave, por do të zgjasë edhe gjatë nëntorit, deri në përmbylljen e procesit zgjedhor . Deputetëve mund t'u mbetet në dispozicion vetëm dhjetori, e nëse kemi parasysh se ky është muaji i festive, atëherë ky vit, praktikisht, do të përmbyllet me një Kuvend në gjumë, të vetëpezulluar e tërësisht të dështuar. Shpresa e vetme se kjo legjislaturë mund të mblidhet është vetëm te miratimi i Projektbuxhetit për vitin 2018. Këtë rast deputetët nuk e humbasin, sepse aty bëhen pazaret përkatëse, prapaskenat dhe në fund të fundit, pushtetarët e dinë fare mirë se të ardhurat e tyre të majme nuk bën të preken. Për tërë këtë pauzë skandaloze, që me gjasë ka bërë bashkë pozitën dhe opozitën, nuk e merr përgjegjësinë asnjë parti, ndërsa qytetarët janë duke u injoruar më shumë se asnjëherë tjetër. Duke e parë ecurinë e jetës parlamentare, të ndalur aktualisht, kuptohet qartë se sivjet, as që bëhet fjalë për Demarkacion me Malin e Zi, që do të thotë se izolimi vazhdon edhe vitin e ardhshëm. Por, a mban përgjegjësi dikush për këtë neglizhencë skandaloze? Askush nuk e vë ujin në zjarr, ndërsa qytetarët kosovarë përballen me ekzistencën në shtetin e tyre të izoluar, të varfër, të korruptuar e të sunduar.

(Kosova Sot)