< Editoriali: Mos gënjeni, të paktën një ditë! - Editoriali - Kosova Sot
Editoriali: Mos gėnjeni, tė paktėn njė ditė!

Editoriali: Mos gėnjeni, tė paktėn njė ditė!

Kur i dëgjon kandidatët për kryetarë të komunave se çfarë thonë, në takimet elektorale, debatet televizive, apo ua sheh spotet që i kanë bërë për fushatë, natyrshëm të vjen një përfundim i qartë: Ata kush më shumë e kush më pak po mashtrojnë! Problemi është se nuk gënjejnë vetëm këta që po përpiqen ta sigurojnë edhe një mandat, por edhe këta të tjerët nuk lënë premtim pa përdorur që të vijnë në pushtet. Votuesit janë përballë një situate të palakmueshme, sepse duhet të zgjedhin mes politikanëve mashtrues, ata që ndoshta do t'i mashtrojnë më pak ose të ndëshkojnë ata që i mashtruan keq në mandatin që po përfundon tashmë. Kjo e premte është dita e fundit për të bërë fushatë, prandaj mirë do të ishte që ta frenonin veten partitë dhe kandidatët tanë nga zotimet e rrejshme. Të paktën ditën e fundit të kësaj fushate intensive njëmujore, ku çfarë nuk kemi parë e dëgjuar! Falë edhe zhvendosjes së herë- pashershme të debatit, kandidatët u kanë bërë bisht temave të ndjeshme, duke u marrë edhe me çështje që nuk janë fare në kompetencë të tyre. Për shembull në Prishtinë, kryetari në largim, që përfaqëson një dështim flagrant dhe mashtrues tipik politik, merret me gjëra periferike dhe harron zotimet e rrejshme, si dhe skandalet në qeverisjen që la pas. Ai jo vetëm që nuk arriti të krijojë një model të mirë, për t'u marrë si shembull, por nuk arriti as t'ia nisë këtij modeli së ndërtuari. Partitë tona vazhdojnë të promovojnë politika të mbrapshta, duke gënjyer qytetarët dhe kur e marrin pushtetin ua kthejnë shpinën atyre. Njësoj do të ndodhë edhe pas zgjedhjeve lokale. Premtimet si zakonisht do t'i marrë era, ndërsa do të nisin pazaret për ndarjen e kulaçit në nivelin lokal. Të vetmen gjë që mund ta bëjnë kandidatët që po qarkullojnë sa në një studio në tjetrën është që këtë të premte të bëhen një herë të vetme realë për mundësitë e komunave dhe gjërat që vërtet mund t'i realizojnë nëse fitojnë!

 

(Kosova Sot)

12 orë e 33 minuta më parë