< Editoriali: Sovrani foli - Editoriali - Kosova Sot
Editoriali: Sovrani foli

Editoriali: Sovrani foli

Në shumicën e komunave, ashtu siç edhe pritej, qytetarët duhet t'u drejtohen edhe një herë kutive të votimit, për shkak se vetëm disa kandidatë arritën të fitonin besimin e plotë, duke marrë mbi pesëdhjetë për qind të votave, për të udhëhequr katër vitet e ardhshme. Nga rezultatet e djeshme, shihet se elektorati deri diku ka vendosur të krijojë balance politike, duke ia ndalur turrin ndonjë subjekti, duke shprehur mbështetje për kandidatë të rinj, e duke rikonfirmuar përkrahjen në raste të caktuara për pushtetmbajtësit aktualë. Gjithsesi, një shembull interesant është Prishtina, aty ku Lëvizja "Vetëvendosje" mburrej se do të dilte pa balotazh. Zbardhja e lidhjeve klienteliste e korruptive të Shpend Ahmetit me shokë ia ka vënë në pikëpyetje këtij të fundit vazhdimin e keqqeverisjes. Shembulli i Prishtinës na kujton zgjedhjet e vitit 2013, kur Isa Mustafa e humbi garën në balotazh, pasi "i futi duart në xhepa". Arrogancës së kryetarit në largim tashmë qytetarët mund t'i përgjigjen në balotazh, për t'i hapur rrugën një administrimi të ri në kryeqendër. Ka plot arsye pse duhet të ndodhë ndryshimi në Prishtinë, e pikësëpari është thellimi i kriminalizimit të komunës dhe monopolizimi i vendimmarrjes në duart e një klani të lidhur me mafio-bizneset dhe mafio-politikën. Votimet e së dielës janë një mësim për partitë tona, të cilat duhet të binden se në zgjedhje, gjithnjë e më shumë, do të korrin atë çfarë e mbjellin jo vetëm gjatë një fushate elektorale, por sidomos në qeverisjen katërvjeçare. Sovrani është vendimmarrësi një herë në katër vjet, prandaj zgjedhjet janë shumë të rëndësishme për fatin e demokracisë dhe qeverisjes. Është me rëndësi, gjithashtu, që përveç liderëve të rinj, që mund të vijnë në krye të komunave, edhe përbërja e Asambleve Komunale të freskohet dhe të përmirësohet. Aty merren vendimet e mëdha për buxhetet, investimet, etj., gjithçka që lidhet edhe me premtimet e kandidatëve, të cilët mund të marrin mandatin.

(Kosova Sot)

12 orë e 41 minuta më parë