Editoriali: Partitë janë të parat, sepse qytetari është gjithnjë i fundit

  • 24 October 2017 - 17:07
Editoriali: Partitë janë të parat, sepse qytetari është gjithnjë i fundit

Asnjë parti nuk doli ta pranojë hapur debaklin që pësoi në zgjedhjet lokale, edhe pse disa subjekte janë ndëshkuar nga elektorati, varësisht prej komunave dhe kandidatëve të dobët që kanë nxjerrë në këtë proces. Secila parti mburret se arriti sukses, ndërsa jemi në pritje të balotazhit, që mund të befasojë, sidomos në Prishtinë. Edhe pse numerikisht është e qartë se si ka lëvizur harta elektorale, krahasuar me zgjedhjet parlamentare, janë të paktën tri parti që menjëherë pas mbylljes së kutive të votimit, bile pa u numëruar votat mirë, këmbëngulën se janë të parët. E para mund të jetë vetëm një, jo dy ose tri parti. Gjithsesi, kjo logjikë absurd partiake e ka një justifikim. Partitë tona ngarendin gjithnjë që ta shpallin veten si fituese, sepse gjithnjë ato e dinë se kush është në fakt humbësi. I fundit mbetet, si në çdo palë zgjedhje, qytetari i varfër kosovar. Vetëm për të nuk mendon asnjë subjekt në mënyrë serioze. Partitë janë grupacione interesash të ngushta, jo rrallë të implikuara edhe me organizata kriminale, të cilat udhëhiqen nga tenderomania, korrupsioni, lakmia për para e pushtet. Jo rastësisht, jemi një vend shumë i varfër, ku njerëzit duan të ikin një orë e më parë, ku drejtësia vlen vetëm për ata që e kanë shpinën nxehtë e xhepin plot, por jo edhe për qytetarët e rëndomtë, që shkelen e diskriminohen. Anembanë Kosovës ka një mal problemesh të pazgjidhura prej vjetësh, ndërsa politikanët ricikilohen sa në një komunë në tjetrën. Me ndonjë përjashtim të vogël, kryetarët në përgjithësi janë një dështim total. Sidomos në Prishtinë. Fryma e ndryshimit po ndihet, sepse zgjedhjet janë mundësi e jashtëzakonshme për të ndëshkuar politikanët mashtrues. Vota është ndëshkuese dhe në balotazh, me siguri do të jetë edhe më e ashpër. Dështimet janë të pafalshme, prandaj është i pritshëm një rrotacion pushteti në kryeqytet, me shpresën se pushtetarët e rinj do të nxjerrin mësim nga e kaluara e hidhur.

(Kosova Sot)