Editoriali: Mësime nga zgjedhjet

  • 25 October 2017 - 17:16
Editoriali: Mësime nga zgjedhjet

Në dy palë zgjedhje brenda një harku të shkurtër kohor (qershor-tetor), Kosova demonstroi kulturë të lartë demokratike, pavarësisht se politika mbetet edhe më tutje larg standardeve të demokracive perëndimore. Sidoqoftë, duhet vlerësuar sjellja e votuesve, ndonëse fare të pakë- naqur me politikën dhe situatën e rëndë, të cilët po dëshmojnë, nga procesi në proces, se nuk mund të tërhiqen për hunde deri në infinit nga partitë, siç ka ndodhur deri vonë. Pa përjashtuar rastet kriminale të blerjes së votave, përmes metodave tashmë të sofistikuara të krimit të organizuar, duhet të rikujtojmë se vullneti i shprehur në kutitë e votimit i sovranit tregon shumëçka për politikanët tanë abuzues me ligjin dhe votën. Askush nuk mund të fitojë besimin "blanko", pa dëshmuar kurrfarë përkushtimi, pa pasur asnjë kapacitet e energji pozitive për shtetin. 

Vota ndëshkuese është treguesi kryesor se elektorati po mbërrin nivele të reja vetëdijesimi, duke ua përplasur kështu, sidomos liderëve arrogantë e abuzues, të cilët me një lloj përbuzjeje dhe triumfalizmi mendojnë se ata janë të vetmit që do ta bëjnë këtë vend si duhet. Në fakt, ky shtet nuk do të bëhet nga emra individualë, as nga një subjekt i caktuar, por nga shoqëria jonë e të zgjedhurit e saj me ligj e rregulla, që do të punojnë në frymë ekipore, kombëtare e shtetërore, bashkëpunuese, pavarësisht qenies në pozitë apo opozitë.

Dy palë zgjedhje, në të dyja nivelet, ishin një shuplakë për politikanët që mendojnë se do të rrinë tërë jetën në pushtet dhe një goditje për subjektet, të cilat pretendojnë të monopolizojnë kriminalisht gjithçka. Një gjë duhet ta dinë mirë partitë tona të inkriminuara, se edhe kur vijnë në pushtet detyrat shtetërore janë prioritare, e ata duhet t'u shërbejnë pandashëm qytetarëve, e jo t'i përçmojnë ata. Vota kundër politikanëve të konsumuar e të tejinkriminuar kundër partive megalomane e të inkriminuara është mësimi më i mirë për secilin subjekt kosovar. Nëse edhe kësaj here nuk nxjerrin mësim, nuk do të mbushen mend kurrë.

Pas zgjedhjeve lokale, le ta harrojë secila parti apo kandidat për kryetar se mund të tallet me besimin e votuesve. Ndëshkimi i pret të gjithë ata politikanë që i mashtrojnë qytetarët!

(Kosova Sot)