Editoliali: Republikë skandalesh dhe e paligjshmërisë!

  • 26 October 2017 - 17:08
Editoliali: Republikë skandalesh dhe e paligjshmërisë!

Në tetë vjetorin e Gjykatës Kushtetuese, ish-kryetari i saj u dënua për keqpërdorim të detyrës e shpërdorim të buxhetit të Universitetit të Prishtinës, kur ky i fundit ishte rektor. Pas gjykimit e ndëshkimit minimal që i erdhi prej gjykatës, që u cilë- sua tepër modest dhe aspak real, i porositur po nga kryegjyqtari i kushtetueses shpërtheu skandali i radhës, që kinse godet Kryeprokurorin e Shtetit. Sipas dosjes së publikuar në medie, ai dyshohet se e ka të falsifikuar provimin e jurisprudencës, por Këshilli Prokurorial i Kosovës reagoi dje zyrtarisht duke hedhur poshtë raportet e rrejshme në fjalë. Si për ironi të denoncuesve të falsifikimit, Qeveria e emëroi numrin një të Prokurorisë në krye të Komisionit për provimin e jurisprudencës. Aferat e skandalet nuk kanë të ndalur në Republikën tonë. Së fundmi, Universiteti i Prishtinës është ankuar se Policia po u bënë presion, duke marrë në pyetje zyrtarët e UP-së. Shkelje pa fund ka edhe në këtë institucion publik, por hetimet zakonisht nisin kur preken interesa të ngushta partiake, klienteliste, klanore e kriminale... Për skandale, burim i pashtershëm është edhe vetë Kuvendi i Kosovës, që dje debatoi ashpër për rishikimin e buxhetit, ndërsa u rikthye në qendër të vëmendjes çështja e listave të fryra të veteranëve. Vetë kreu i Parlamentit e pranoi se ka pasur abuzim me listat, por në emër të një pakti partiak është mbyllur njëri sy, që i bie të jetë shkelur ligji . Në fakt, janë mbyllur të dy sytë dhe veshët para një afere alarmante, me pasoja të rënda për buxhetin e shtetit, për ligjshmërinë në vend. Rishikimi, si rrjedhojë, ka prekur sfera të tjera, si shëndetësinë, e lënë pas dore, për të qetësuar veteranët. E vërteta është se me miratimin e krerëve të shtetit u zyrtarizuan listat e korruptuara, që janë tashmë barrë e taksapaguesve kosovarë. Mund të jenë mijëra përfitues të paligjshëm, por ata, përveçse janë të tillë, përfaqësojnë edhe një kategori votuesish. Pafuqia e sistemit të drejtësisë për të bërë një hetim të paanshëm e ligjor, papërgjegjësia e ish-komandantëve të zonave operative të luftës së UÇK-së, komprometimi i zyrtarëve përgjegjës në proces dhe mbi të gjitha, hipokrizia dhe heshtja e qëllimshme e ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e kanë njollosur tej mase tërë verifikimin e vlerave të luftës. Skandal pas skandali, shteti ynë po shndërrohet në një parajsë kriminale dhe të paligjshmërisë.

(Kosova Sot)