Editoriali: "Ti Halim që s'di këndim, bëhu ministër për arsim"

  • 28 October 2017 - 17:12
Editoriali:

Të jesh i aftë, i shkolluar mirë, i përgatitur profesionalisht, i dëshmuar kudo, me integritet personal, i panënshtrueshëm ndaj liderit, i papërlyer në afera, do të thotë se nuk je tipi i preferuar i pushtetit në Kosovë. Secilës garniturë i duhen zakonisht njerëz pakurrizorë, shpesh raste sociale, që kanë nevojë për një pagë dhe bëjnë gjithçka që të kenë një karrige në qeveri, në komunë, etj. Ky mentalitet është rrënjosur tashmë në partitë tona, duke u reflektuar frikshëm pastaj edhe në nivelet e pushtetit qendror apo atij lokal. Përgjegjësi ekzekutive, fatkeqësisht, marrin gjithnjë e më tepër jokompetentët, të paguximshmit, profanët, vasalët, militantët, familjarët, klientela e ngushtë partiake. Si rrjedhojë, në tërësinë e tij, pushteti, praktikisht, nuk ka se si të na ofrojë ndonjëherë shembuj të mirë të qeverisjes, sepse në shprehje vijnë grupet e interesit, që synojnë mbushjen e xhepave të tyre dhe nuk mërziten për situatën sociale, ekonomike, papunësinë, varfërinë, analfabetizmin, krizën në shëndetësi, jocilësinë në arsim, nepotizmin në institucione, korrupsionin në administratë, tenderomaninë…Më kot shpresojmë se ndoshta do të bëhet më mirë, kur performanca pushtetore, që e sheh secili, të brengos dita-ditës. Kur sheh se si Kuvendi, Qeveria, komunat, kompanitë publike, agjencitë shtetërore, ambasadat, janë të mbushura dhe stërmbushen edhe më tutje me protagonistë të së keqes, të krimit, të skandaleve, si mund të shpresosh se një ditë do të bëhet mirë në këtë vend?! Askush nuk ka pse të habitet, nëse njerëzit e lodhur e të sunduar nga kjo kastë e urryer politikanësh, sërish do t'ia mësyjnë Perëndimit, në kërkim të një jete më të mirë. Pushteti në Kosovë të kujton atë shprehjen e njohur "ujku qimen e ndërron, por zakonin s'e harron". Ngjyrat partiake mund të pësojnë ndryshime, nga mandati në mandat, por tradita e shpërdorimit të pushtetit veçse po thellohet. E, kur sheh se si rrjedhin emërimet njëri pas tjetrit, natyrshëm të kujtohen vargjet antologjike të Nolit: "Ti Halim që s'di këndim, bëhu ministër për arsim"!

(Kosova Sot)