< Editoriali: Situatë tepër e mjerë! - Editoriali - Kosova Sot
Editoriali: Situatė tepėr e mjerė!

Editoriali: Situatė tepėr e mjerė!

E tërhoqi apo nuk e tërhoqi njohjen Surinami?!Kjo është pyetja më e shpeshtë orëve të fundit, që rëndon më së shumti Ministrinë e Punëve të Jashtme. Por, kjo e fundit mjaftohet duke thënë se nuk kanë asnjë njoftim zyrtar e duke u munduar të justifikohen se ky është spekulim i Serbisë, ndërsa Qeveria jonë nuk merret me lajme të pavërteta. Sidoqoftë, e vërteta është e pamohueshme, sado e hidhur të jetë. Një herë u tërhoqëm nga aplikimi në Interpol, pastaj dështuam sërish, duke mos aplikuar fare kësaj radhe për anë- tarësim në UNESCO, kurse tash mbërrin njoftimi se njëri nga shtetet, që na ka njohur më parë, është tërhequr nga ky vendim. Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare, sidomos ata proqeveritarë, nxituan të na bindin se në teorinë e së drejtës ndërkombëtare nuk njihet "tërheqja e njohjes", por pak rëndësi ka kjo tashmë. Debati duhet të bëhet për degradimin e pandalshëm të diplomacisë së re kosovare, e cila po mbush një dekadë e assesi të konsolidohet. Me emërimin në krye të saj të një biznesmeni të njohur për lidhjet e tij me Rusinë armike, nuk kemi pse të befasohemi nëse lajme, si ai i Surinamit, të ketë sërish javët e muajt në vijim. Ndërsa Serbia është në ofensivë kundër pavarësisë së Kosovës, (pu)shteti ynë ka përfunduar në duart e matrapazëve politikë dhe bandave të mafio-oligarkëve të inkriminuar. Politika jonë tepër e mbrapshtë aktualisht është e zënë me ndarjen e tortës së pushtetit zhvatës, me shpërndarjen kriminale të posteve pa fund tek të pamerituarit, ku militantë, shërbëtorë partish, familjarë oligarkësh, pseudobiznesmenë, sekserë, mashtrues, dallaveraxhinj, përfitojnë pandalshëm në kurriz të taksapaguesve kosovarë privilegje të pamerituara fare. Ndërsa shteti ynë është zhytur e mbytur në një qorrsokak, në rrafshin ndërkombëtar imazhi i Kosovës është përkeqësuar tej mase. Temat e ashtuquajtura të mëdha kanë mbetur poshtë tavolinës, sepse askush nuk guxon as t'i përmendë. Me një lidership të përlyer në korrupsion e krim të organizuar, do të jetë tepër e vështirë të hedhim hapa përpara drejt shtetit zhvillimor dhe të së drejtës e as sundimit të ligjit. Kosova po mbahet peng, pasi as kjo Qeveri e ky Kuvend, dhe as kjo Presidencë, nuk po arrijnë dhe as nuk po e marrin mundin ta zhbllokojnë situatën tepër të mjerë.

(Kosvoa Sot)

3 orë e 11 minuta më parë