Editoriali: Luksi qeveritar mbi kurrizin e taksapaguesve

  • 04 November 2017 - 17:11
Editoriali: Luksi qeveritar mbi kurrizin e taksapaguesve

Nëse shikohet numri i ministrive dhe pozitave ministrore, zv.ministrore e këshilltarët, shihet se nga viti në vit ka një rritje graduale, duke filluar nga Qeveria "Thaçi 1", e pastaj "Thaçi 2", kabineti "Mustafa" dhe tash ky i radhës me Haradinajn në krye. Në vend që Qeveria të reduktohej në resorët e nevojshëm, duke zvogëluar dikasteret e padobishme, ka ndodhur procesi i kundërt. E tëra kjo ka ndodhur jo për t'u shërbyer më mirë qytetarëve, por për të akomoduar interesat partiake, klienteliste, klanore, korruptive, nepotike. Në mungesë të një ligji për Qeverinë, që do ta përcaktonte qartë madhësinë e saj, partitë në pushtet kanë vepruar sipas oreksit të tyre e kuptohet, në një rast të tillë, nuk ka pse të befasohemi edhe nëse çdo ditë emërohen nga dy zëvendësministra. Pazaret politike të koalicioneve kanë prodhuar ministri të reja, që thjesht janë shpikur për të akomoduar njerëzit e partive. Shtimi i pozitave të panevojshme jo vetëm e rëndon buxhetin, por edhe e bën më konfuze qeverisjen. Disa ministri përplasen me njëra-tjetrën, sepse kanë sektorë të ngjashëm që mbulojnë. Një gjë e tillë krijon paqartësi në ndarjen e përgjegjë- sive dhe në prioritetet e ekzekutivit. Nga ana tjetër, nuk është vetë çështja te zgjerimi i paparë i Qeverisë dhe emërimet e pandalshme. Ende nuk është hapur debat për cilësinë e njerëzve që po emërohen e po bëhen pjesë e këtij ekipi gjigand. Secili prej tyre ka të drejtë të ketë këshilltarë, asistente, vetura zyrtare. Të gjitha këto janë shpenzime, por për çka? Në fakt, ky është një abuzim i jashtëzakonshëm që bëhet në kurriz të taksapaguesve kosovarë, të cilët duhet të durojnë kështu, luksin e turpshëm të politikanëve që nuk dinë të ndalen. Kuvendi i Kosovës do të duhej urgjentisht ta miratojë një ligj për Qeverinë, për të përgjysmuar dikasteret dhe për të vendosur kritere të qarta ligjore, për personat që emërohen. Vetëm kështu mund të shpresojmë se një ditë do ta kemi një Qeveri të hairit!

(Kosova Sot)