Editoriali: Misioni dëshpërues

  • 17 November 2017 - 17:03
Editoriali: Misioni dëshpërues

Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit, sërish është bërë protagonist i akuzave për korrupsion, pas dorëheqjes së shefit të gjykatësve të EULEX-it, Malcolm Simmons. Edhe pse zyrtarët në Bruksel thonë se BE-ja, si edhe misioni i EULEXit, kanë zero tolerancë për akuzat dhe për sjellje të pahijshme të të gjithë anë- tarëve të misionit, duket se në praktikë gjërat janë ndryshe. Sapo u publikua lajmi se EULEX-i po e heton gjykatësin tashmë të larguar, edhe Simmons ka akuzuar Misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, se nuk e ka luftuar korrupsionin, duke e arsyetuar këtë mosveprim me "ruajtjen e stabilitetit" në Kosovë, si një shtet ende i brishtë. Dorëheqja e Malcom Simmonsit paraqet rastin e dytë pas të cilit hapet çështja e korrupsionit në EULEX. Paraprakisht, prokurorja nga ky mision, Maria Bamieh i kishte akuzuar kolegët e saj për marrje ryshfeti, çka i kushtoi asaj me shkarkim. Misioni i EULEX-it është vendosur në Kosovë që nga viti 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë e saj. Ky mision u vendos nga Bashkimi Evropian, për të ndihmuar në zbatimin e sundimit të rendit dhe ligjit. Por, pritjet e qytetarëve për një luftë të vërtetë kundër "peshqve të mëdhenj" të korrupsionit nuk u përmbushën asnjëherë. Edhe pse disa raste u trajtuan, pushtetarët e dyshuar dhe oligarkët që zhvatën pasuritë publike nuk u përballen asnjëherë me ligjin. Akuzat e gjyqtarit Malcolm janë serioze dhe konfirmojnë supozimet se misioni më i madh i BE-së është me karakter politik, ndërsa e ka devijuar rrugën në të cilën do të duhej të ecte. Historia dëshpëruese me EULEXin duhet të shërbejë si mësim për vendin tonë. Nuk mund të presim drejtësi nga ndërkombëtarët, por duhet ta vendosim vetë atë. Derisa kokat e krimit politik dhe ekonomik janë të paprekshëm, nuk do të ketë drejtësi të vërtetë. Organet përkatëse të drejtësisë duhet të pavarësohen dhe të guxojnë ta bëjnë punën e tyre. Vetë, atëherë do të kemi zbatim të ligjit.

(Kosova Sot)