Editoriali: Asgjë e re nga Brukseli

  • 18 November 2017 - 17:10
Editoriali: Asgjë e re nga Brukseli

Udhëtimi i kryeministrit me ministrat e Qeverisë së tij nuk ka sjellë asnjë lajm të mirë nga kryeqendra e Bashkimit Evropian. Takimet në Bruksel u bënë burim informacionesh për biseda të tensionuara mes kreut të ekzekutivit tonë dhe Përfaqësueses së Lartë për Siguri dhe Marrëdhënie me Jashtë, Frederika Mogherini. Frustrimi i palës kosovare është evident prej kohësh tashmë, për shkak të rëndimit të kritereve për liberalizimin e vizave, përfshirë këtu edhe ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi. Presidenti Kosovës nuk e ka fshehur zemërimin e tij me evropianët, të cilët, sipas tij, i kishin premtuar liberalizim vizash, me rastin e miratimit të Gjykatës Speciale. Porosi të ngjashme mund të jenë përcjellë edhe në takimin e djeshëm. Anulimi i konferencës për shtyp, që ishte pjesë e agjendës, dëshmon se diçka nuk ka qenë në rregull, por transparenca, qoftë nga zyrat e BE-së apo edhe nga Qeveria kosovare, është minimale. Diskutimet për MSA-në nuk kanë sjellë asgjë të re, ndërsa për dialogun me Serbinë, faza e re mbetet e paqartë.

Raportimet e medieve, se kërkesa e kryeministrit kosovar që në dialog të përfshihet edhe SHBA-ja e paska nervozuar Mogherinin, mbeten të pakonfirmuara. Sidoqoftë, Prishtina zyrtare duhet ta ketë të qartë se perspektiva evropiane është orientimi kryesor për vendin. Ftohja e marrëdhënieve me BEnë nuk është në interes të shtetit tonë, që rrugën e vetme të ecjes përpara e ka drejt familjes evropiane. Gjithashtu, pushteti aktual duhet të vetëdijësohet se pa treguar rezultate konkrete në qeverisje, pa pasur transparencë dhe efikasitet, pa përmbushur kriteret e përcaktuara nga BE-ja, pa zbatuar MSA-në dhe kriteret e liberalizimit të vizave, marrëdhëniet me Brukselin nuk do të jenë të mira. Dështimet në politikën e brendshme nuk duhet të shfryhen në rrafshin ndërkombëtar, sepse fundja, nga BE-ja kemi vetëm përfitime në rrafshe të ndryshme, prandaj mirënjohjen për mbështetjen miliardëshe nuk duhet ta zëvendësojmë me arrogancë. 

(Kosova Sot)