Editoriali: Rrënimi i sipërmarrjes së ligjshme private

  • 30 July 2015 - 10:00
Editoriali: Rrënimi i sipërmarrjes së ligjshme private

Qeveritarët kosovarë po vazhdojnë traditën e rrënjosur nga ish-ekzekutivi 'Thaçi 1 e 2', duke injoruar qytetarët, bizneset e ligjshme dhe çdo nismë të dobishme për zhvillimin e vendit. Shteti i kapur është tërësisht jashtë funksionit publik dhe krejtësisht në shërbim të oligarkisë politike, pseudo-bizneseve dhe rrjeteve klienteliste korruptive e kriminale. Si rrjedhojë, ekonomia është ngulfatur, deficiti tregtar tejkalon dymiliardëshin në vit, ndërsa prodhimi vendor mbetet në përmasa modeste. Fermerët kosovarë ankohen dhe protestojnë gati çdo javë, por pushteti nuk e vë ujin në zjarr.

Qumështarët detyrohen ta hedhin prodhimin e tyre, sepse tregu është vërshuar nga gjithfarë produktesh të dyshimta, me çmime të lira që i kanë rrëzuar mijëra sipërmarrës të këtij sektori. Vitrinat e supermarketeve janë mbushur me imitime të produkteve e nënprodukteve të qumështit, kurse fermerët tanë janë lënë në mëshirën e fatit, për dallim prej kolegëve të tyre në rajon e më gjerë, ku ka mbështetje e mbrojtje dhe garanci institucionale për produktet vendore. Institucionet janë jotransparente dhe fshehin të dhënat, të cilat do të duhej të ishin publike, siç është rasti për sasitë e mëdha të qumështit pluhur që importohet apo tonelatat e grurit e miellit.

Pavarësisht se prej disa vjetësh, përmes një skeme grantesh e subvencionesh të Ministrisë së Bujqësisë, shpërndahen dhjetëra miliona euro në vit, efektet janë gati të pavërejtshme. Dyshohet se kjo më tepër është një skemë korrupsioni, ku zhvatet paraja publike. Deputetët kanë drejtuar akuza ndaj ish-ministrit dhe ministrit aktual përkatës, i cili po i shmanget ballafaqimit me situatën kritike në sektorin bujqësor e blegtoral. Injorimi i problemeve të fermerëve dhe mungesa e llogaridhënies, janë dekurajuese veçmas për këtë sektor, që mund të gjenerojë shumë vende të reja pune, nëse nuk do të kishte skandale, dallavere, shpërdorime të pozitës dhe abuzime me fondet. Interesat e oligarkëve e të fortëve të Kosovës kanë shtypur përtokë nismat e ligjshme sipërmarrëse. Për fat të keq, monopoli nga oligarkët në biznes dhe në shtet, po e thellon degradimin ekonomik të vendit, ndërsa hapat qeveritarë deri tani janë fare të pashpresë për ndryshime eventuale pozitive.