Editoriali: Drejtësi skandalesh

  • 21 November 2017 - 17:25
Editoriali: Drejtësi skandalesh

Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit pasoi UNMIK-un, pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, por nuk i përmbushi as përafërsisht pritjet e qytetarëve kosovarë. EULEX-i u tregua i mefshtë para "peshqve të mëdhenj". Përveç kësaj, misioni më i madh i Bashkimit Evropian u përfshi në afera të rënda, duke e zbehur edhe më tej besimin e publikut te drejtësia. Dalëngadalë, gjyqtarët, prokurorët e hetuesit evropianë, nisën të mos dalloheshin nga kolegët e tyre kosovarë, të zhytur në korrupsion. Ditë më parë dha dorëheqje kryetari i gjyqtarëve të EULEX-it, britaniku Malcolm Simmons, duke akuzuar këtë mision për korrupsion dhe afera të tjera. Por, ky nuk është rasti i vetëm që ka goditur besueshmërinë e misionit. Ish-Shefi i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, italiani Françesko Florit, gjithashtu ishte akuzuar për mitëmarrje dhe duke iu përgjigjur pretendimeve ndaj tij të ishprokurores së EULEX-it, Maria Bamieh, se ai kishte takime me ndërmjetësit e palëve të akuzuara në disa raste gjyqë- sore, nuk e ka mohuar të ketë pasur takime të tilla. Edhe vetë Bashkimi Evropian ka dokumente për devijimin e EULEX-it. Një raport i përpiluar para dy vjetësh vë në pah lidhjet mes politikanëve kosovarë dhe zyrtarëve të EULEX-it. Në raportin konfidencial përmendeshin emrat e ish-krerëve të misionit, të njerëzve më të fuqishëm të politikës deri te ish-kryeprokurori, Ismet Kabashi. Rastet e stërzgjatura, motivet politike të ngritjes së aktakuzave, janë temë diskutimi prej kohësh, por asnjëherë BE-ja nuk e ka bërë transparencën e punës së EULEX-it. Brukseli na kërkon sundim ligji, por duket se vetë misioni i tyre e ka vënë në pazar një synim të tillë të rëndësishëm. Mediet raportuan se i dorëhequri Simmons hedh akuza të rënda në adresë të gjykatësit kryesor në rastin "Drenica 2" , Dariusz Sielicki. Britaniku i ka raportuar një zyrtari të lartë të BE-së, për qasjen fyese e diskriminuese që gjyqtari kryesor kishte ndaj të pandehurve dhe kishte për qëllim dënimin e këtij grupi duke synuar avancim në pozitën e tij. Ndërlidhjet e dënimeve të EULEX-it me dialogun Kosovë-Serbi janë ana tjetër e medaljes. Krerët e misionit dhe BE-ja do të duhej të jepnin shpjegime për drejtësinë e politizuar.

(Kosova Sot)