Editoriali: Kasapi i Bosnjës

  • 23 November 2017 - 17:01
Editoriali: Kasapi i Bosnjës

Tribunali i Kombeve të Bashkuara për krime të luftës në Hagë e ka përmbyllur misionin e tij me një dënim meritor për ish-komandantin serb të Bosnjës, Ratko Mladiq, të cilit iu shqiptua burgimi i përjetshëm, pasi u shpall fajtor për akuzat për krime të luftës kundër njerëzimit, përfshirë gjenocidin, gjatë luftës në Bosnjë, në periudhën 1992-95. Mladiq ishte cilësuar si "Kasap i Bosnjës". 75- vjeçari ishte i akuzuar për gjenocid, për organizim të ekzekutimit kolektiv të afro 8 mijë burrave e djemve myslimanë në enklavën lindore Srebrenicë, në korrik të vitit 1995, që është vlerësuar si mizoria më e tmerrshme e kryer në Evropë prej Holokaustit. Në vitin 2007, Tribunali i Hagës ka vendosur se masakra në Srebrenicë ishte gjenocid i kryer nga forcat serbe të Bosnjës. Plani përfundimtar i Mladiqit, pastaj liderit serb të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, dhe ishpresidentit të Serbisë, Slobodan Milosheviq, ishte që ta pastrojnë Bosnjën nga jo-serbët, në procesin e njohur "si pastrim etnik", dhe për ta krijuar "Serbinë e Madhe". Plane të tilla u bënë edhe për Kosovën. Masakra të ngjashme u bënë edhe në vendin tonë. Mijëra shqiptarë u vranë, u masakruan, u torturuan, u përdhunuan. Shumë të tjerë janë të zhdukur. Rreth një milion u dëbuan nga shtëpitë e tyre. Miliarda euro dëme iu shkaktuan popullit tonë, për të cilat jo vetëm që nuk ka pasur drejtësi dhe kompensim dëmesh, por as edhe një kërkimfalje e vetme. Milosheviqi vdiq në burgun e Hagës në vitin 2016, ndërsa procesi gjyqësor kundër tij përfundoi pa vendim, duke mos e përmbushur kështu misionin për ndëshkimin e gjenocidit serb në Kosovë. Politikanët e Beogradit, sot, në vend që të dënojnë kriminelët, i bëjnë ata heronj dhe ligjërues në Akademi. Kjo është dëshpëruese për frymën e pajtimit, që i kërkohet rajonit. Serbia ende nuk e ka paguar faturën e krimeve monstruoze që regjimet e mëparshme i bënë kundër popujve të pafajshëm. Dënimi i Mladiqit është fitore e drejtë- sisë, por drejtësia për shqiptarët mbetet e pavendosur ende.

(Kosova Sot)