Editoriali: Bandat e politikës

  • 31 July 2015 - 10:51
Editoriali: Bandat e politikës

Kritikat e Qeverisë amerikane për kriminalizimin e politikës shqiptare, kanë vënë në lëvizje menjëherë drejtuesit e lartë në Shqipëri.  Kryeministri socialist Edi Rama, premtoi se shumica do ta miratojë ligjin që pengon përfshirjen në politikë dhe në administratë të personave me një të kaluar kriminale. Në Parlamentin shqiptar mendohet të ketë disa persona të tillë dhe në raportin më të ri, Departamenti amerikan i shtetit përmendi një deputet të koalicionit të majtë të dënuar për trafikim personash. Reflektimi i Qeverisë duket një hap përpara në dekriminalizimin e shtetit. Vitet e tranzicionit në Shqipëri i kanë forcuar lidhjet e politikës me krimin, ndërsa drejtësia e korruptuar nuk ka arritur t’i spastrojë institucionet nga elementet kriminale. Nisma e Ramës do të duhej të zgjonte interesim edhe në Republikën e Kosovës, në Qeveri dhe në Kuvend. Inkriminimi i zyrtarëve është dukuri edhe më shqetësuese në vendin tonë. Zyrtarë të lartë, deputetë, kryetarë komunash, etj., i mbajnë pozitat edhe në rastet kur janë të akuzuar apo të dënuar nga gjykatat për kryerjen e veprave penale. Personat me të kaluar kriminale nuk kanë ndonjë pengesë për t’u përfshirë në listat e kandidatëve të partive për deputetë. Tolerimi i së kaluarës së errët ka mundësuar që në të dy parlamentet në Tiranë dhe në Prishtinë, politikanët mafiozë të jenë në mesin e përfaqësuesve të popullit. Turp më të madh për shtetin dhe shoqërinë nuk mund të ketë se një përfaqësim i tillë kriminal. Atë që po e bën kryeministri Rama në Shqipëri, do të duhej ta inicionte në Kosovë homologu i tij, Isa Mustafa. Kuvendi nuk mund ta heshtë një çështje kaq të ndjeshme. Politikanët dhe zyrtarët me të kaluar kriminale, duhet një herë e mirë, të përjashtohen nga institucionet dhe ky rregull të shërbejë si model për të tashmen e të ardhmen, në mënyrë që të mos rrezikojmë stabilitetin e shtetit. Me banda nuk shkohet në BE.