Editoriali: Në Republikën e Monopolit - Editoriali - Kosova Sot
Editoriali: Nė Republikėn e Monopolit

Editoriali: Nė Republikėn e Monopolit

Në hapjen e Javës kundër korrupsionit është ripërmendur krijimi i monopolit në homologimin e veturave, si një vendim i Qeverisë së Kosovës që nga viti 2008, i cili ende mbetet në fuqi, edhe pse qeveritarët, njëri pas tjetrit, gjithnjë premtuan se do të ndalonin monopolin. Qeveritë kosovare në vend që të ndalonin praktikat monopoliste dhe korruptive po i thellojnë edhe më shumë veprimet e tyre jotransparente, antiligjore dhe që e cenojnë tregun e lirë. Edhe ekzekutivi aktual la gjurmë menjëherë me vendimin për faljen e borxheve milionëshe ndaj ambalazhuesve të ujit, duke e dëmtuar konkurrencën. Në secilin rast, qeveritë e kanë anashkaluar Kuvendin e Kosovës dhe kanë favorizuar vetëm një kategori të bizneseve private në dëm të interesit të përgjithshëm të qytetarëve. Është fare e qartë dhe plotësisht e argumentuar se këto dy vendime janë marrë në kundërshtim me ligjet në fuqi dhe, sipas saj, përveçqë duhet të revokohen, ato duhet edhe të hetohen nga organet kompetente. Por, drejtësia duket se është e pafuqishme të veprojë kundër interesave të oligarkëve. Monopoli në homologimin e veturave që shteti ia siguroi "Devollit" pasi u nënshkrua para nëntë vjetësh një kontratë ekskluzive me kompaninë në pronësi të oligarkëve kosovarë, po zhvat qytetarët. Po të kishte konkurrencë, qytetarët do të paguanin më pak, por një gjë e tillë është pamundësuar, ndërsa qeveria aktuale nuk ka ndërmarrë ende asgjë në këtë drejtim. Autoriteti i Konkurrencës thotë se është duke shqyrtuar disa raste, por pak gjasa ka që ky mekanizëm për mbrojtjen e ekonomisë së tregut të luftojë ndonjë monopol. Problemi është se pushteti në vendin tonë nuk është asnjëherë në shërbim të qytetarëve, por gjithnjë vepron sipas urdhrave të politikanëve të korruptuar dhe oligarkëve të biznesit, që ua mbushin xhepat. Si rrjedhojë, Kosova mund të vazhdojë edhe për vite të tëra, të mos ketë treg të lirë e të ndershëm, por monopole, që na e vështirësojnë jetën të gjithëve, ndërsa i bëjnë pushtetarët edhe më të pasur mbi kurrizin e qytetarëve të varfër. 

(Kosova Sot)

11 orë e 27 minuta më parë
18/02/18