Editoriali: Po tash?! - Editoriali - Kosova Sot
Editoriali: Po tash?!

Editoriali: Po tash?!

Marrëveshja për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi është riproceduar në Kuvendin e Kosovës, kësaj radhe me vërejtje serioze të shkruara në një raport zyrtar të Komisionit të kryesuar nga Shpejtim Bulliqi, që pasoi ekipin e mëhershëm të udhëhequr nga Murat Meha. Herën e kaluar, protestat, gazi lotsjellës dhe peticioni me mbi dyqind mijë nënshkrime të qytetarëve e pamundësuan ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare nga Parlamenti, ku ish-Qeveria "Mustafa" nuk i kishte dy të tretat e nevojshme për finalizimin e këtij procesi. Bazuar në qëndrimet e shprehura dje në Qeverinë e Kosovës, as kësaj here votat nuk janë të sigurta. Por, këtyre politikanëve nuk kemi pse t'u zëmë besë asnjëherë. Ata, prej kohësh, i kanë harruar vijat e kuqe dhe për pushtet, kurdo i hanë fjalët e veta, lëpijnë atë që e kanë pështyrë deri dje. Çështja, pra, mbetet e hapur, sepse ajo që vlen për Kuvendin, është Marrëveshja e nënshkruar nga ish-ministri i Jashtëm, sot president i vendit. Raporti i bashkangjitur i ngjan më tepër një alibie për të justifikuar rrëmujën e madhe, zhurmën, debatet, hartat, Çakorrin, Kullën, etj. Nuk është megjithatë kaq e thjeshtë. Koston politike dikush duhet ta paguajë, sepse koston financiare e ka paguar populli i Kosovës. Po të ishte kryer kjo punë, qytetarët tanë, të paktën, për të shkuar në vendet e BE-së do të shpenzonin më pak e do të shkonin në mënyrë normale, të dinjitetshme, si gjithë fqinjët. Dy-tre vjetët e fundit janë rreth njëqindmijë shtetas kosovarë, të cilët kanë shkuar në shtetet e Bashkimit Evropian, përmes rrugëve ilegale apo edhe duke paguar shtrenjtë për një vizë. Janë miliona euro që kanë përfunduar në xhepat e trafikantëve, të lidhur me siguri, me oligarkët e pushtetit. Sot, ka edhe procese gjyqësore për trafikim njerëzish, ku të akuzuar janë njerëz të politikës. Por, jo vetëm Demarkacioni na la në izolim. Korrupsioni lulëzoi, edhe pse rekomandimet e Brukselit ishin që të luftohet dhe të tregohen rezultate konkrete. Megjithatë, rezultatet e vetme ishin disa dënime qesharake me kusht! Kjo është Kosova e degraduar nga kjo kastë politikanësh të zhytur deri në fyt!

(Kosova Sot)

23 orë e 33 minuta më parë
17/10/18