Editoriali: Buxheti qesharak - Editoriali - Kosova Sot
Editoriali: Buxheti qesharak

Editoriali: Buxheti qesharak

Derisa Kosova do të varet gjithnjë prej sasisë së mallrave që importohen, është e qartë se ekonomia do të mbetet në vendnumëro. Edhe projektbuxheti për vitin 2018 bazohet në të ardhurat nga doganat dhe inkasimi i TVSH-së. Kjo dëshmon se as Qeveria aktuale nuk ka arritur të tregojë vizion zhvillimor për të hapur një perspektivë të re për Republikën. Ky buxhet, që u prezantua dje nga ministri i Financave, nuk jep kurrfarë shprese për prodhuesit vendorë, sepse nuk ka ndonjë rritje të subvencioneve për ta, sidomos në sferën e bujqësisë. Me buxhetin në fjalë, që nxiti debate në Kuvendin e Kosovës, është e sigurt se nëpunësit do t'i marrin pagat, por nuk do të ketë rritje serioze të punësimit, as investimet e premtuara në shëndetësi e arsim apo në sektorët e tjerë. Edhe kjo qeveri po i ndjek praktikat e mëhershme në ndarjen e investimeve kapitale. Pjesa dërrmuese e investimeve kapitale sërish shkon në asfalt, në vend që të kishim prioritete të tjera. Për ta konkretizuar se sa "sociale" është kjo qeveri dhe sa pranë njerëzve është ky pushtet, mjafton të përmendim faktin se më tepër buxhet kanë në dispozicion ushtria e zëvendësministrave sesa është ndarë për sigurimet shëndetësore! Ndonëse është ende herët, treguesit e kësaj qeverisjeje janë pesimistë. Projektbuxheti dëshmon gjithashtu mashtrimet e koalicionit gjatë fushatës dhe mospërputhjen e programit qeverisës me tabelat buxhetore. PAN-i na premtonte se rritja ekonomike do të shkojë tetë për qind, por buxheti i projektuar prej tyre bën fjalë për një rritje 4 për qind. Kjo do të thotë se ato mijëra vende të reja pune, qindra milionë euro investime, mbeten fjalë mashtruese, sepse ky objektiv elektoral është i paarritshëm. Në fakt, nëse do të ishte në pushtet një qeveri transparente dhe jo e shantazhuar, buxheti mund të dyfishohej. Vetëm po të reduktohej informaliteti, mund të shtohen dukshëm të hyrat, por mafio-oligarkëve në pushtet nuk u intereson lufta kundër krimit ekonomik, sepse po i stërmbushin xhepat!

(Kosova Sot)

17 orë e 57 minuta më parë
24/01/18