Editoriali: "Doganierët fikin kamerat, ngritin trarin e kontrabandës në kufi "!... - Editoriali - Kosova Sot
Editoriali: "Doganierėt fikin kamerat, ngritin trarin e kontrabandės nė kufi "!...

Editoriali: "Doganierėt fikin kamerat, ngritin trarin e kontrabandės nė kufi "!...

Seancat parlamentare shpesh shndërrohen në arenë akuzash të ndryshme, që, përveç jehonës mediale, nuk është se gjejnë trajtim tjetër administrativ, edhe pse në një vend normal organet e drejtësisë do të duhej të hetonin menjëherë denoncimet e rënda për krime të rënda penale. Akuzat nuk kanë munguar edhe në seancën e djeshme, kur është diskutuar për programin qeverisës, por njëra nga këto akuza është vërtet e rëndë dhe kërkon adresim të menjëhershëm nga institucionet përkatëse. Gazeta "Kosova Sot" në vazhdimësi ka ngritur zërin për ekonominë e madhe informale, kontrabandën alarmante dhe abuzimet që bëhen përmes shpërdorimit të pozitave shtetërore dhe rrjeteve kriminale që kanë lidhje me zyrtarët kosovarë. Dje ishte vetë nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, që foli hapur për kontrabandën evidente që po bëhet ndër vite dhe pandashëm, duke kërkuar forcim serioz të kontrollit të Doganave, meqë, sipas tij, po bëhet kontrabanda më e madhe me mallra që kanë akcizë, si cigare, naftë, alkool dhe të tjera, i cili para deputetëve iu drejtua z. Haradinaj, kur tha:"Z. kryeministër, t'u kisha lut me i kontrollu Doganat e Kosovës, jo me kamera, por me mekanizma më seriozë e të besueshëm, që të kontrollohen për mallrat që hyjnë në kufij, e që kur ato hyjnë ilegalisht nëpër kufij po ndalen kamerat, duke e ngritur trarin e kalimit të kontrabandës. Cigaret, alkooli, e sidomos nafta, janë kontrabanda më e madhe që po e gërryejnë për toke buxhetin e Kosovës", tha deputeti Haliti në Kuvend. Normalisht, po të kishim prokurori funksionale, do të duhej të hapeshin hetimet për të provuar këto deklarime, ngase janë shumë të besueshme. Është fakt i pamohueshëm që ka kontrabandë të madhe qindra-milionëshe, por të fikësh kamerat që kontrollohen nga zyrtarë shteti, për të lejuar kamionët e autobotet me dhjetëra të tillë të hyjnë ilegalisht, ky është një krim i rëndë ekonomik dhe shkel e shkatërron themelet e shtetit. Organet hetimore duhet të hedhin dritë mbi këtë akuzë reale të z. Haliti, që edhe mund të provohet shumë lehtë, por vështirë se mund të kemi ndonjë rezultat në këtë drejtim, pasi drejtësia, e sidomos Prokuroria Speciale (PSRK) dhe policia janë të kapur nga mafio-oligarkët e pushtetit dhe biznesit të pistë. Sidoqoftë, në raste të tilla të jashtëzakonshme presioni i kryeministrit Haradinaj duhet të shtohet mbi të gjitha institucionet e shtetit dhe posaçërisht të drejtësisë, në mënyrë që të nisin sa më shpejt hetimet për rrjetet e organizuara kriminale të kontrabandistëve që veprojnë, jo vetëm natën, por edhe në dritë me diell. Këtu bëhet fjalë për KRIM TË ORGANIZUAR dhe për përfitime shumë qindra-milionëshe, prandaj nevojitet guxim dhe përkushtim që të zbardhet e provohet e vërteta e plotë. Ata që për shumë vjet fikin kamerat e doganave dhe ngritin trarin e Doganës në kufi për të kontrabanduar me dhjetëra maune e autobote brenda ditës, bashkë me urdhërdhënësit dhe bizneset e inkriminuara duhet të përballen sa më parë me forcën e ligjit. Nuk dihet se deri kur do të heshtë kryeprokurori i Prokurorisë Speciale ( PSRK-së) në bërjen e avokatisë përmes abstenimit, bllokimit e ndalimit të hetimeve ndaj mafio-oligarkëve të inkriminuar për kontrabandën shkatërruese të shtetit dhe krimit të organizuar, që pandashëm po godasin e shkatërrojnë buxhetin dhe themelet e shtetit. 

(Kosova Sot)

13 orë e 9 minuta më parë
19/01/18
aaaaaaaa