Editoriali: Republika e padrejtësive

  • 11 December 2017 - 16:59
Editoriali: Republika e padrejtësive

Në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, që u shënua dje edhe në vendin tonë, organizatat e shoqërisë civile u bënë bashkë për të kërkuar zbatimin e ligjit dhe Kushtetutës, që t'i mundësohet secilit qytetar trajtim i dinjitetshëm. E vërteta është e dhimbshme për shumicën e popullatës në Kosovë, sepse ka qasje diskriminuese nga organet shtetërore dhe shkelje të shpeshta të të drejtave. Sipas raporteve të institucionit të Avokatit të Popullit, shkeljet më të shumta i bën sistemi gjyqë- sor, pastaj Qeveria dhe pushteti lokal. Shkeljet janë të natyrave të ndryshme, nga më të voglat deri te më të mëdhatë, siç janë për shembull faturimi i energjisë elektrike që harxhohet në pjesën veriore dhe humbjet komerciale në kurriz të shumicës shqiptare. Problemi kryesor është se, pavarësisht se konstatohet që shkeljet janë evidente, reagimi institucional për ta përmirësuar situatën është tepër i dobët. Në letër, qytetarët kosovarë gëzojnë të drejta si në ç'do vend të Bashkimit Evropian, por në praktikë situata është dëshpëruese. Edhe pse të gjithë kemi shpresuar se shteti ynë do të krijonte mundësi dhe shpresë, realiteti e dëshmoi të kundërtën. Kushtetuta garanton barazi para ligjit, megjithatë, për fat të keq, "disa janë më të barabartë se të tjerët". Nëse konkurron për një vend pune në administratën shtetërore apo ndonjërën nga agjencitë shtetërore, diplomat që ke, aftësitë profesionale apo përvoja, nuk kanë ndonjë vlerë në krahasim me "mikun" që të mbështet. Nepotizmi, militantizmi dhe korrupsioni e kanë degraduar shërbimin publik. Qytetarët janë të nëpërkëmbur edhe në ofrimin e shërbimeve shëndetë- sore dhe cilësinë e dobët në arsim. Një pjesë jo e vogël e shoqërisë është zhytur në varfëri të thellë, ndërsa shteti nuk arrin të sigurojë as minimumin jetik të familjeve në nevojë. Republika e Kosovës është bërë vend i oligarkëve, ku qytetarët janë të nënshtruarit e regjimit, ndërsa pushtetarët abuzojnë në gjithfarë formash. Shteti ynë gjendet shumë larg standardeve evropiane të respektimit të të drejtave të njeriut, prandaj na duhet punë e madhe për të garantuar një gjë të tillë

(Kosova Sot)