Editoriali: Qeverisjet e dështuara të shqiptarëve

  • 12 December 2017 - 17:52
Editoriali: Qeverisjet e dështuara të shqiptarëve

Serbia e Mali i Zi po i hapin kapitujt e rinj në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, kurse Kosova e Shqipëria janë duke humbur kohë për shkak të paaftësisë për të qeverisur me transparencë dhe duke zbatuar ligjin. Në Kosovë, vendi i vetëm që ka mbetur i izoluar sa i përket lëvizjes së lirë në hapësirën e Shëngenit prej më shumë se dy vjetësh, politika nuk është në gjendje të miratojë një Marrëveshje Demarkacioni për kufirin me Malin e Zi. Por, ky nuk është problem i vetëm. Pas zhytjes në një proces të dyshimtë dialogimi me Beogradin, marrëveshjet e obligueshme, si ajo e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, kanë shkaktuar përçarje e polemika mes partive. Institucionet kanë dështuar në luftimin e korrupsionit, ndërsa Qeveria aktuale është duke ndjekur traditën e keqe të qeverive shpenzuese dhe joefikase. Kosova mbetet aktualisht një vend i pashpresë, ku shumica e njerëzve mendojnë se si të largohen një orë e më parë nga vendi. Kjo mund të jetë një arsye shtesë, përveç kritereve të njohura për liberalizimin, pse BE-ja mund ta zvarrisë sërish vendimin për heqjen e vizave për shtetasit kosovarë. Ndërkohë, për shtetasit shqiptarë nuk kanë problem me lëvizjen e lirë, por sfida kryesore është droga. Në mediet e ndryshme botërore, Shqipëria portretizohet si "Kolumbia" e Ballkanit dhe Evropës, ndërsa skandalet e drogës kanë prekur edhe politikanë të njohur. Me këto portrete aspak pozitive shqiptarët kanë mbetur të fundit në rajon në procesin e integrimeve, për shkak të qeverisjeve aspak të shëndetshme. Pushtetarët në të dy anët e kufirit, partneritetin më të suksesshëm e kanë në krimin ekonomik, por sa u përket aspekteve të tjera është një dështim i jashtëzakonshëm. Oligarkët i kanë shtrirë rrënjët në çdo cep, duke kapur shtetet dhe liderët, partitë dhe mediet për ta mjegulluar edhe më shumë opinionin publik. Por, sado që po manipulojnë, e vërteta tashmë nuk mund të fshihet më tutje, sepse fqinjët tanë, Serbia e Mali i Zi, po ecin drejt BE-së të sigurt, kurse Kosova e Shqipëria, fatkeqësisht, e kanë humbur hapin.

(Kosova Sot)