Editoriali: M... votuam, m... po na japin!

  • 13 December 2017 - 17:03
Editoriali: M... votuam, m... po na japin!

Skandali i Lëvizjes "Vetëvendosje" e ka rikthyer edhe një herë debatin për cilësinë e partive që votojnë qytetarët kosovarë, që lë shumë për të dëshiruar. Partitë, kush më shumë e kush më pak, arrijnë në çdo proces zgjedhor të mashtrojnë qindra- mijëra votues, të cilët, edhe pse janë mashtruar më herët, sërish shpresojnë se mund të përfitojnë diçka nga zgjedhjet e radhës. Por, për fat të keq, ja që nuk është ashtu. Edhe pse secili pret që do të bëhet më mirë, vetëm më keq është duke u bërë çdo ditë e më shumë. Në secilin nivel të pushtetit, nga secila parti që ka përgjegjësi për të qeverisur, shihet se ka abuzim dhe shpërdorim, vjedhje të buxhetit dhe nepotizëm, korrupsion dhe luks të panevojshëm me paratë e taksapaguesve kosovarë. Asnjë subjekt nuk dallon kur është puna për të zhvatur sektorin publik apo për ta rënduar sektorin privat. Partitë janë të bashkuara rreth korrupsionit masiv, që e ka vënë shtetin në një situatë tepër alarmante. Drejtësia jofunksionale nuk arrin të nxjerrë në bankën e të akuzuarve as edhe një zyrtarë të lartë, por vazhdimisht justifikohet me disa arrestime minore, të cilat në fund rezultojnë krejtësisht pa rezultat. Përfaqësimi i interesave të shoqërisë është shumë i mangët dhe në fakt, pjesa kryesore e shqetësimeve të popullatës nuk adresohen asnjëherë. Kosova ka humbur tërë këtë kohë duke u marrë me një marrëveshje Demarkacioni, ndërsa janë lënë në hije tërë ato tema të mëdha e të rëndësishme për qytetarët. Kjo politikë, përfundimisht, pa dallim pozitë opozitë, është e papërgjegjshme dhe nuk do të na nxjerrë asnjëherë nga izolimi. Kosovës i duhen alternativa të reja politike, që synojnë zhvillimin e jo pasurimin e liderëve të tyre. Është moment i fundit, që në skenë të dalin subjekte që vërtet e duan shtetin dhe duan t'i shërbejnë popullit të stërkequr nga keqqeverisjet dhe sundimi i oligarkëve kosovarë. 

(Kosova Sot)