Editoriali: Të vjedhësh në emër të bujqve

  • 16 December 2017 - 17:26
Editoriali: Të vjedhësh në emër të bujqve

Këtë javë, ajo që ra në sy gjatë aktiviteteve ku mori pjesë edhe kryeministri i vendit, ishte akuza e të parit të Qeverisë ndaj Agjencisë për Zhvillim të Bujqësisë, në lidhje me ndarjen e granteve. Çdo vit ndahen dhjetëra miliona euro grante dhe subvencione, për fermerët, por ka të dhëna nga burime të ndryshme, që u konfirmuan tashmë edhe nga vetë kryeministri Haradinaj , se po bëhen keqpërdorime. Ka raste kur përfituesit në mënyrë të paligjshme i kanë marrë mjetet dhe kurrë nuk kanë bërë asnjë investim me to. Ka raste të tjera, kur individë të lidhur me zyrtarët përgjegjës të shtetit kanë përfituar në mënyrë të padrejtë, duke mos pasur as tokë dhe as lidhje me bujqësinë, blegtorinë apo pemëtarinë etj. Kaq shumë të dhëna ka, përveç dyshimeve serioze, saqë Prokuroria e Shtetit është dashur të vihej në lëvizje prej kohësh. Por, duke e ditur se kapja e shtetit nënkupton se edhe organi i akuzës nuk vepron aty ku prek politika, është e qartë se nuk do të ketë rezultate në këtë drejtim. Milionat kanë shkuar, ndërsa dëmi është i jashtëzakonshëm. Më e keqja është se po e pësojnë fermerët që mezi mbijetojnë, sepse qasja e tyre në financa është jashtëzakonisht e kufizuar. Edhe kjo mundësi që jepet nga shteti, duke u keqpërdorur në këtë nivel alarmant, ua bën edhe më të vështirë ekzistencën e bujqve kosovarë në tregun e vërshuar nga importi.

Qeveria aktuale duhet ta kthejë vëmendjen nga bujqësia, për të ndarë fonde më shumë dhe për të ndalur keqpërdorimin e tyre. Konstatimi i gjendjes është për t'u përshëndetur,por i pamjaftueshëm. Zyrtarët përgjegjës duhet të japin llogari për çdo cent të ndarë deri më tash. Vetëm kështu, duke e bërë transparencën e procesit të ndërlikuar dhe të manipuluar të dhënies së granteve dhe subvencioneve, mund të ecim përpara. Është momenti i fundit, që të dihet se ku në fakt po përfundojnë milionat që jepen për bujqësi nga buxheti i shtetit. 

(Kosova Sot)