Editoriali: Politika e Zhvatjes

  • 18 December 2017 - 16:57
Editoriali: Politika e Zhvatjes

Duke parë zhvillimet e fundit në Lëvizjen "Vetëvendosje", secili mund të bindet se me këto parti që i kemi aktualisht, pa kurrfarë dallimi, ku dominojnë vetëm interesat për pushtet dhe zhvatje e pasurim, mbi çdo gjë tjetër është e pamundur që Kosova të konsolidohet si shtet dhe qytetarët të jetojnë me dinjitet. Sot, shoqëria jonë është e diskriminuar, e gjunjëzuar para oligarkisë politike dhe biznesore-kriminale,e pashpresë se mund të ndryshojë diçka në qeverisjen e vendit. Është e kotë të ushqesh qoftë edhe një fije shpresë te pushtetarët multimilionerë, që jetojnë në vila të shtrenjta milionëshe, bëjnë jetë sheikësh dhe tallen me qindra- mijëra familje të izoluara, të kushtëzuara në mbijetesën e tyre. Këta që na qeverisin, në çdo kohë, që prej pas luftës, gjithnjë kanë harruar se në momentin që marrin detyrën zyrtare, janë të obliguar t'u shërbejnë qytetarëve me ndershmëri dhe përkushtim. Por, në fakt, gjithmonë ndodhi e kundërta. Pa asnjë dallim, të gjitha partitë që u katapultuan në qeverisje ndoqën modelin e njëjtë-ZHVATJEN.

Nga viti në vit, politikanët në pushtet u bënë edhe më të rrezikshëm për vendin, me praktikat e tyre korruptive, nepotiste, klienteliste, kriminale. Kjo kastë e urryer qeveritarësh e rrënoi meritoktracinë, që kurrë nuk gjeti hapësirë në dhjetëra institucione shteti e kompani publike, agjenci të pavarura, borde, ambasada etj. Çdo vendim i tyre, qëllimin kryesor e kishte vetëm pasurimin e oligarkëve dhe servilëve përreth. Si rrjedhojë, sot gati është në zhdukje shtresa e mesme, sepse një grup i vogël që sundojnë prej vitesh kontrollojnë dhe vendosin për gjithçka, ndërsa pjesa tjetër vuajnë dhe mezi përballojnë koston evropiane të një jetese me standarde afrikane. Sot, kur pushtetmbajtësit, që palojnë milionat mbi kurrizin e taksapaguesve kosovarë, na flasin për liberalizim vizash, mirëqenie, zhvillim, është më shumë se tallje. Askush nuk mund t'u zërë më besë, sepse gjithnjë na mashtruan. Dalja e alternativave të reja mbetet rrugëshpëtimi i vetëm, me shpresën se nuk do të ndjekin model zhvatës të subjekteve aktuale. 

(Kosova Sot)