Editoriali: Publikojeni kontratën "historike"

  • 21 December 2017 - 17:00
Editoriali: Publikojeni kontratën

Në ditën kur, sipas krerëve të shtetit tonë, po shkruhej historia me nënshkrimin e marrëveshjes për TEC-in "Kosova e Re", qytetarët protestuan në Prishtinë, për të kundërshtuar shtrenjtimin e paralajmëruar të energjisë elektrike si dhe pagesën diskriminuese të rrymë së shpenzuar në pjesën veriore, të cilën kompania turke, që e ka privatizuar rrjetin e shpërndarjes dhe furnizimit, nuk ka arritur ta inkasojë deri më tash, edhe pse e ka marrë, falë një kompanie që ka monopol në energjetikë. Por, politikanëve që zhvatin Kosovën, nuk u intereson nëse shkelen të drejtat e qytetarëve, sepse atyre u intereson vetëm xhepi. Në një Republikë ku sundojnë bandat, si kjo e jona, funksionarët vjedhin edhe në projekte fare të vogla, e lëre më kur bëhet fjalë për kontrata miliardëshe. Jo rastë- sisht, edhe publikimi i tyre nuk bëhet kurrë, siç ka ndodhur në rastin e kontratë me "Bechtel-Enka". Kosova e ka paguar më së shtrenjti çmimin për një kilometër asfalt! Më së lehti, hajnia shtetërore është te rrugët. Por, dallaveret nuk mund të përjashtohen as te kontrata "historike". Kosova mban më tepër se 600 milionë euro jashtë vendit, një fond nga shitja e Ndërmarrjeve Shoqërore, pra gati sa gjysma e investimit në Termocentralin 500 megavatësh. Vetëm Fondi pensional ka mbërritur gati në dy miliardë euro dhe është kryesisht i investuar jashtë vendit. Por, ndërtimi i TEC-it "Kosova e Re"do të bëhet përmes kredive dhe kamatat natyrisht që nuk do t'i paguajnë investitorët, por qytetarët kosovarë. Dëmin ambiental gjithashtu do ta vuajnë njerëzit e këtij vendi. Faturat sigurisht se do të shtrenjtohen dhe Qeveria, që thotë se është në shërbim të popullit, duhet ta tregojë të vërtetën e jo të mburret me një nënshkrim. Pushteti do të duhej ta bënte transparente këtë marrëveshje. Thëngjilli është pasuri e Kosovës, por ne do ta paguajmë më së shtrenjti energjinë që do ta prodhojë Termocentrali i ri, në vend që të ndodhte e kundërta. Oligarkët do të përfitojnë prapë mbi kurrizin e popullit të vuajtur dhe kjo është më se e qartë! 

(Kosova Sot)