Editoriali: Qeveri e pangopur!

  • 22 December 2017 - 17:19
Editoriali: Qeveri e pangopur!

Mijëra punëtorëve në sektorin publik dhe privat nuk ka kush t'ua rritë rrogat që mesatarisht shkojnë tre-katër qind euro. Mësuesit, mjekët, infermierët, policët, zjarrfikësit, nëpunësit, artistët, paguhen pak, me paga që nuk dalin për një jetë as mesatare. Rritja e rrogave të tyre varet nga ritmi zhvillimor i vendit, që aktualisht me këtë qeverisje rezulton se e ka shtuar papunësinë tre për qind sivjet. Me rritjen ekonomike tre deri në katër për qind, është e pamundur të ketë fonde për rroga më të mira, të paktën edhe për disa vjet. Por, pavarësisht kësaj gjendjeje, qeveria e mbipopulluar, duke vetëlavdëruar veten dhe duke konsideruar se po punojnë nga 16 orë në ditë, i ka shtuar deri në dyfishim rrogat e veta, nga kryeministri, zëvendësit e tij, ministrat e zv.ministrat, pa harruar, kuptohet, dhjetëra këshilltarë që, nëse nuk funksionojnë si sekserë, nuk bëjnë gjë tjetër. Ky pra është pushteti që na udhëheq, që parimin e vetëm e ka mbushjen e xhepave të vet, duke zbrazur ata të qytetarëve. Shoqëria jonë e ka të kalitur durimin, prandaj ende rri e vështron, por kjo situatë është më alarmante se kurrë. Sektori publik, ku shumica diskriminohen në paga, ka raste flagrante abuzimi. Në kompanitë publike, siç është PTK-ja, një punëtor i rëndomtë paguhet më shumë se një kirurg në spitalet publike. Në disa agjenci, borde, kompani, që paguhen nga taksapaguesit kosovarë, anëtarët dhe drejtuesit, menaxhmentet, ua rrisin vetes koeficientet sa duan, sepse askush nuk u thotë gjë. Nuk ka një nivelizim të drejtë dhe real të pagave, ashtu siç nuk ka një ligj për Qeverinë, për të mos lejuar abuzimet e mëtutjeshme. Në një vend normal, ku qeveritarët i dyfishojnë pagat e veta, duke shpërdoruar kështu buxhetin e shtetit, të nesërmen qytetarët do të mbushnin rrugët dhe sheshet, por ky nuk është rasti i Kosovës. Fatkeqësisht, edhe opozita po e hesht këtë skandal, sepse pret që një ditë të ulet në vendin e qeveritarëve që po e zhvatin këtë vend deri në palcë.

(Kosova Sot)