Editoriali: Shenja shprese në Prokurori

  • 02 August 2015 - 10:03
Editoriali: Shenja shprese në Prokurori

EULEX-i e as Gjykata Speciale nuk do t'i duheshin asgjë Kosovës nëse prokurorët dhe gjyqtarët kosovarë do ta bënin punën siç e përcakton ligji. Nëse ata do të ishin të guximshëm të merreshin me 'peshqit e mëdhenj' dhe mafiozët e politikës, por edhe me krimet eventuale të luftës, BE-ja as që do të shfaqte gatishmëri për të derdhur miliona euro për këto misione. Nëse Prokuroria do dhe ka guxim ta bëjë punën si duhet, 'peshqit e mëdhenj' nuk do të ishin të paprekshëm. Aktakuza kundër ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, dhe hetimi kundër kreut të Gjykatës Speciale, Sali Mekaj, tregojnë se kur shteti i fortë i tregon dhëmbët, frika nga ligji përhapet gjithandej. Përderisa nuk ka një vendim gjyqësor, që të dy këta persona janë të pafajshëm, por marrja me raste të mëdha dhe me peshë nga ana e Prokurorisë së shtetit, i shfaq disa shkëndija shprese. Kur kreu i Gjykatës së Lartë arrestohet, sikur edhe kur  ngrihet aktakuzë për njeriun deri dje më të fuqishëm të sistemit kushtetues e ligjor, atëherë na jepet një dëshmi se kur Prokuroria do mund ta bëjë punën. Përkrah kryeprokurorit Lumezi, duhet të rreshtohen prokurorë të guximshëm, që nuk kanë frikë ndaj askujt tjetër pos Zotit e ligjit. Një njeri i vetëm nuk mund të bëjë asgjë dhe këtë e ka dëshmuar rektori i Universitetit "Hasan Prishtina", Ramadan Zejnullahu, cili arriti të vërë rregull e ligj dhe të ballafaqohet edhe me ata, të cilët deri dje e bënin ligjin e xhunglës në Universitet. Po të rreshtoheshin përkrah rektorit, në radhë të parë prorektorët e tij, senati e pastaj edhe dekanatet, atëherë Zejnullahu do ta ndërronte gjendjen në Universitet për 180  shkallë. Njëjtë mund të jetë gjendja edhe me kryeprokurorin Lumezi. Nëse edhe  prokurorët e tjerë njohin vetëm ligjin dhe jo politikën, sistemi i drejtësisë mund të vihet në binarë të mbarë shumë shpejt. Në sistemin e drejtësisë janë disa hallka. Nëse gjyqësori nuk bën punën si duhet, gjer sot është parë se nuk e ka bërë, atëherë Prokuroria kot ngrit aktakuza për 'peshqit e mëdhenj'. Nëse edhe në gjyqësor dalin apo vijnë njerëz që duan ta kryejnë punën me profesionalizëm, me guxim e aftësi, atëherë sundimi i ligjit do të kishte perspektivë. Deri sot kanë munguar prokurorët e gjyqtarët e guximshëm, prandaj edhe  kemi këtë sistem të kalbur të drejtësisë në vend.