Editoriali: Le të vjedhim të gjithë, kryeministër!

  • 24 December 2017 - 17:12
Editoriali: Le të vjedhim të gjithë, kryeministër!

"Një kryeministër me pas rrogën 1300 euro, ose vjedh, ose është i pasinqertë, e mashtron popullin e vet". Kështu foli kryeministri, që këtë javë ia dyfishoi rrogën vetes, duke u bërë ndër më të paguarit në rajon, ua dyfishoi rrogat pesë zëvendësve të tij, ua rriti ndjeshëm ministrave dhe zëvendësministrave bashkë me stafet e tyre. Dhe, këtë vendim pushteti e mori në vendin më të varfër dhe të papunë të Evropës, me sundimin më të egër politik. Kur ju, politikanë mashtrues dhe shpërdorues, dilni në zgjedhje ta kërkoni votën për ta bërë Kosovën fushë me lule, sigurisht se e dini fare mirë se sa janë rrogat në Qeveri, në Ministri, në Kuvend, në Presidencë, në kompani, në ambasada, në agjenci, në borde. Asnjëri nuk shprehet kurrë me ndonjë rezervë, por u treguan të përkushtuar për shtetin dhe zhvillimin. E, ajo që po na shohin sytë e po na dëgjojnë veshët, është më shumë se skandaloze. Është thjesht e tmerrshme! Nëse kryeministri me një pagë 1300 euro po vjedhka, është i pasinqertë dhe e mashtron popullin, atëherë çfarë duhet të bëjnë mijëra mjekë me paga disa qindra euro, dhjetëra mijëra mësues, profesorë, policë, nëpunës,administratorë,menaxherë shtetërorë, etj, etj. Mesazhi që e jep pushteti është tronditës: Nëse nuk ua rritin rrogat, vidhni! Kjo është logjika që po e udhëheq Republikën dhe fatkeqësisht, në heshtje, partitë janë unike në këtë vendimmarrje që u shërben për të zhvatur sa më shumë këtë shtet të mjerë. Një politikan i vërtetë, i ndershëm, i pakorruptuar, nuk do të bëhej pjesë e këtij përçudnimi institucional, por do të distancohej menjëherë. Sa mbledhin nënshkrime për të zhbërë një Gjykatë që e sollën vetë me paaftësinë e tyre për të krijuar një sistem të pavarur drejtësie, më mirë të thërrasin një seancë të jashtëzakonshme për skandalin e pagave. Mjerë për popullin e Kosovës kush po e udhëheq!

(Kosova Sot)