Editoriali: VV-ja t'i dëbojë "jahtistët" - Editoriali - Kosova Sot
Editoriali: VV-ja t

Editoriali: VV-ja t'i dëbojë "jahtistët"

Lëvizja "Vetëvendosje" po shkon në zgjedhjet e brendshme pa kryetarin e saj, i cili dje dha dorëheqje nga posti, i zhgënjyer me mënyrën se si është duke funksionuar kjo organizatë politike, që aktualisht ka përfaqësimin më të madh parlamentar. Dorëheqja e Visar Ymerit, që njihet si krahu i Shpend Ahmetit, Dardan Molliqajt e disa të tjerëve, mund të jetë edhe një paralajmërim tjetër se ky subjekt, që vitin e kaluar shënoi rritjen më të madhe, do të ndahet së shpejti. Për opinionin publik është ende e paqartë se përse po ndodhin këto zhvillime në VV, pikërisht në periudhën më të mirë të Lëvizjes. Kriza e thellë e përfshiu partinë, sidomos pas skandalit të Shpend Ahmetit, kryetarit të Prishtinës, që u zu në jahtin e një oligarku të dyshimtë kosovar, Blerim Devollit. Lidhjet e tij me kompanitë e dyshuara për lidhje mafio-kriminale me pushtetin datojnë më herët, qysh në kohën e FER-it, një subjekt i dështuar. Por, planet e veta Shpend Ahmeti me shokët e tij i kishin dizajnuar për t'i realizuar në radhët e "Vetëvendosjes" së drejtuar nga idealisti Albin Kurti. Tashmë duket hapur se kjo parti, të cilën tipat si Shpend Ahmeti e bënë si të gjitha të tjerat, pra një subjekt që udhëhiqet prej lakmisë për para dhe pushtet, e jo nga parimet e qeverisjes së mirë, është çarë në mes. Megjithatë, ky është rasti për ta kthyer VV-në në brazdën e duhur, sepse Kosovës i duhen parti të pastra, që kanë ideale kombëtare, që e luftojnë krimin dhe korrupsionin e nuk mbajnë në radhët e tyre të inkriminuar si Shpend Ahmeti&CO. Kandidimi i Albin Kurtit, të cilin disa rivalë brenda subjektit nuk e dëshironin ta kishin sërish në krye të VV-së, i ka shuar shpresat e Visar Ymerit dhe bashkëpunëtorëve të tij. Është e qartë se Kurti nuk ka konkurrencë brenda VV-së, por sidoqoftë tentativa për t'ia ndaluar atij të kandidonte ishte një akt antidemokratik. Gjithsesi, për fund, Visar Ymeri ishte një kryetar konsensual, i përkohshëm, por nuk arriti të shndërrohej kurrë në një lider.

(Kosova Sot)

23 orë e 41 minuta më parë
19/10/18