Editoriali: Ndërkombëtarët t'i izolojnë liderët e korruptuar të Kosovës

  • 08 January 2018 - 17:02
Editoriali: Ndërkombëtarët t'i izolojnë liderët e korruptuar të Kosovës

Paaftësia e lidershipit kosovar për ta mbajtur shtetin dhe për ta konsoliduar atë, nuk mund t'i mvishet faktorit ndërkombëtar, që e ka dhënë kontributin e vet në formimin e Republikës së Kosovës, ndërsa vazhdon të ndihmojë në forma të ndryshme, që vendi ynë të ecë në rrugën e zhvillimit. Ajo që mund të kërkohet nga përfaqësitë diplomatike dhe misionet që janë në Prishtinë është distancimi i qartë dhe izolimi i këtyre liderëve që e kanë privatizuar Kosovën. Nëse është pikërisht kjo garniturë qeveritare, që po i lë qytetarët të rropaten në dyert e ambasadave, në pritje të një vize, e në fund si përgjigje marrin një "Jo", atëherë ndërkombëtarët mund t'ua japin të njëjtin përjetim edhe oligarkëve kosovarë. Refuzimi i vizave do të ishte veprim i drejtë, ndëshkues, për politikanët e mbrapshtë të Kosovës, të cilët interesin personal e kanë vënë mbi interesin publik. Duke ndërmarrë një veprim të tillë, efekti do të ishte ndërgjegjësimi i shoqërisë dhe shtimi i presionit mbi qeverisjen e keqe, që po e merr në qafë një popull të tërë. Është më se e qartë tashmë se kjo klasë politike nuk e ka ndërmend të përmirësohet dhe të parandalojë të këqijat që po shtohen dita-ditës, prandaj vetëm një qytetari aktive, një mobilizim popullor kundër degradimit të shtetit, mund të japë rezultate. Nuk mund të ecim përpara dhe nuk do të kemi shpresë për jetë të mirë, për drejtësi, nëse në pushtet do të mbesin arrogantët, njerëzit që partitë i trajtojnë si strehë familjare, kriminale, klanore, ndërsa të njëjtin mentalitet e kanë bartur në institucione. Në vendin më të varfër të Evropës, me politikanët më abuzivë e më të kamur, që shpenzojnë si të ishin sheikë, perspektiva kurrë nuk ka qenë më e zymtë. Mos të harrojmë se edhe në Arabinë Saudite princat po arrestohen për shkak të abuzimeve që kanë bërë. Një fat i tillë duhet t'i presë edhe "princat" tanë, nëse duam që ky vend të çlirohet për herë të dytë!

(Kosova Sot)