Editoriali: Veteranët e vërtetë nuk do ta duronin një skandal të tillë! - Editoriali - Kosova Sot
Editoriali: Veteranët e vërtetë nuk do ta duronin një skandal të tillë!

Editoriali: Veteranët e vërtetë nuk do ta duronin një skandal të tillë!

Palaçot e vërtetë kanë filluar ta nxjerrin kokën, duke trazuar opinionin publik me fjalorin e tyre acarues. Nismëtarët e shfuqizimit të Gjykatës Speciale kanë të drejtën e tyre të mbrojnë kauzën që e kanë nisur, megjithatë nuk mund ta degradojnë debatin, duke hedhur baltë mbi këdo që u del përpara. Mediat gjithnjë janë në kërkim të lajmit, por pas deklaratës skandaloze të nënkryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mirë do të ishte që hapësira mediatike, për ndotës të tillë, në mos e tëra, të kufizohej deri në një kërkimfalje dhe normalizim të fjalorit. Është krejtësisht e papranueshme një gjuhë e tillë, fyese dhe denigruese, qoftë edhe ndaj një personi të thjeshtë, e lërë më një ambasadori të një superfuqie botërore, pa të cilën sigurisht që Kosova nuk do të ishte këtu ku është aktualisht. Pas jehonës së keqe që pati në opinionin e gjerë deklarimi fyes i numrit dy të OVL të UÇK-së, reaguan menjëherë krerët e vendit, duke u distancuar dhe duke e dënuar një formë të tillë të të shprehurit. Sidoqoftë, ata që do të duhej të reagonin ende po heshtin. Luftëtarët e lirisë, ata të vërtetët, që sakrifikuan gjithçka për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, nuk do të duhej të sodisnin manipulimin verbal të frustrimit që kanë në lidhje me Gjykatën Speciale. Veteranët duhet të distancohen dhe të dënojnë çdo deklaratë fyese, ndaj kujtdo qoftë, ambasadorë, politikanë, intelektualë etj. Kjo nuk është mënyra se si mund të komunikohet në një shoqëri demokratike. Meritat e UÇK-së janë të padiskutueshme, por pa bombat e NATO-s vendi nuk do të çlirohej. Pa SHBA-në nuk do të shpëtonim nga gjenocidi i regjimit të Milosheviqit. Më e pakta që mund të bënte fyesi në këtë rast është dorëheqja e menjëhershme nga pozita që mban në OVL të UÇK-së. Nëse jo, atëherë veteranët duhet ta shkarkojnë!

(Kosova Sot)

2 orë e 3 minuta më parë
17/11/18