Editoriali: Tash, publikojini kontratat e autostradave miliardëshe dhe monopolit të Devollëve - Editoriali - Kosova Sot
Editoriali: Tash, publikojini kontratat e autostradave miliardëshe dhe monopolit të Devollëve

Editoriali: Tash, publikojini kontratat e autostradave miliardëshe dhe monopolit të Devollëve

Publikimi i kontratës për ndërtimin e Termocentralit "Kosova e Re" mes Qeverisë kosovare dhe kompanisë amerikane "Contour Global" është një veprim i mirëseardhur dhe një shembull që tregon se, nëse ka vullnet politik, ka edhe transparencë. Por, ky hap duhet të ndiqet nga veprime të ngjashme në lidhje me çështje të ndryshme të interesit publik. Për shembull, opinioni nuk është i njoftuar me përmbajtjen e asnjërës kontratë sa i përket projekteve më të mëdha infrastrukturore, dy autostradave, që së bashku bëjnë gati sa një buxhet vjetor i shtetit tonë. Edhe pse shoqëria civile dhe mediet kanë adresuar kërkesa të vazhdueshme në Qeveri, që të publikohen kontratat respektive, nuk është ndërmarrë asnjë veprim në drejtim të rritjes së transparencës institucionale. Ndërkohë, edhe pse gjykata ka vendosur që për çështje të interesit të përgjithshëm, shteti është i detyruar të publikojë marrëveshjet, kontratat apo vendimet, ende një gjë e tillë nuk po zbatohet praktikisht. Njësoj është rasti edhe me njërën nga shkeljet më flagrante jo vetëm të ligjit, por edhe të Kushtetutës. Është fjala për kontratën e homologimit, që i mundëson një kompanie të vetme ta ofrojë këtë shërbim (kompani, pronë e oligarkëve Devolli, të njohur për lidhjet e tyre të dyshimta me pushtetin). Edhe pse është bërë presion që Qeveria ta bëjë transparente atë kontratë, kjo nuk ka ndodhur, ndërsa qytetarët e pësojnë nga lejimi i këtij monopoli zhvatës, kurse me siguri pushtetarët në prapaskenë e mbushin gushën me milionat e korrupsionit që bëhet hapur! Njëri nga kryeministrat e Kosovës, i njohur për autoritarizëm dhe arrogancën e tij, kur erdhi në pushtet para disa vjetësh, u zotua se do të kishte transparencë për çdo cent të shpenzuar nga buxheti i Kosovës. Në fakt, ndodhi e kundërta. Për asnjë cent të shpenzuar, kurrë nuk pati llogaridhënie, as transparencë, ndërsa abuzimet, zhvatjet, shpërdorimet, u zgjeruan në secilën pore shtetërore. Kjo Qeveri, nëse do të na mbushë mendjen se ka vullnet të punojë për Kosovën dhe qytetarët e saj, së pari duhet të bëjë transparente çdo veprim dhe çdo cent që e shpenzon.

(Kosova Sot)

18 orë e 54 minuta më parë
26/05/18