Editoriali: Partitë që na izoluan përfitojnë milionat në kurrizin e taksapaguesve

  • 24 January 2018 - 17:10
Editoriali: Partitë që na izoluan përfitojnë milionat në kurrizin e taksapaguesve

Mbi katër milionë euro është fondi që është ndarë për partitë parlamentare për vitin 2018. Të gjitha këto subjekte, përveç kësaj shume që ndahet proporcionalisht, sipas përfaqësimit që kanë në Kuvend, përfitojnë edhe në forma të tjera. Për çdo vendim që marrin, subjektet kosovare kanë beneficione nga më të ndryshmet, duke filluar nga bonuset e vogla e deri te shpërblimet e majme, të cilat do të ishte mirë që t'i hetonte prokuroria, nëse do t'i dalë gjumi ndonjëherë. Për çdo lobim që bëjnë në procesin legjislativ, për hatër të klaneve të ndryshme, oligarkëve të biznesit dhe pushtetit, secila parti, e ka profitin e vet të sigurt. Pushtet e opozitë nuk dallojnë fare në këtë drejtim. Jo rastësisht, rrallëkush e hap gojën për skandalet e mëdha, aferat e panumërta, pasurimin e dyshimtë, korrupsionin galopant, tenderomaninë, zhvatjen e buxhetit, haraçin ndaj bizneseve, dallaveret me licencat e ndryshme, privatizimet kriminale. Partitë e kanë kuptuar skemën mafioze të pushtetit, që ua mbush xhepat. Disa politikanë thuhet se nuk ia dinë fundin pasurisë që e kanë bërë gjatë viteve të pasluftës, vetëm në saje të "rrogave" të institucioneve. Kot nuk thonë me rëndësi nuk është rroga e shtetit, sa vlejnë të ardhurat! Falë një sistemi të drejtësisë tërë- sisht të dështuar, pushtetarët e inkriminuar hapur vjedhin, shpërdorojnë, abuzojnë. Pra, partitë, edhe pse po e degradojnë Republikën, na zhvatin edhe duke marrë fonde të posaçme nga buxheti i shtetit për vete. Në prag të dhjetëvjetorit të pavarësisë, jemi më të izoluar e më të pashpresë se kurrë. Pakënaqësia është më e madhe se asnjëherë më parë ndaj kësaj klase politike të papërgjegjshme. Milionat që partitë i marrin në kurrizin e taksapaguesve janë të pamerituara, me këtë mënyrë që janë duke e udhëhequr Kosovën. Izolimin e meritojnë këta politikanë të korruptuar, ndërsa qytetarëve duhet t'u hapet perspektiva për një jetë më të mirë. 

(Kosova Sot)