Drejtësi kriminale! - Editoriali - Kosova Sot
Drejtësi kriminale!

Drejtësi kriminale!

Në dhjetëvjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, sistemi i drejtësisë mbetet i pafuqishëm për të garantuar të drejtat e qytetarëve të vendit. Prokuroritë dhe gjykatat janë shndërruar në instrumente politike e klanore, që funksionojnë vetëm atëherë kur marrin urdhra nga oligarkët. Si rrjedhojë, mbi katërqind mijë lëndë po myken në sirtarët e gjykatave, ndërsa drejtësia zvarritet dhe nuk vendoset fare. Një proces gjyqësor zgjat me vite, ndërsa vendimi është gjithnjë si një mall në ankand, ku ai që jep më shumë, e përvetëson në fund. Qytetarët e varfër e të nënshtruar, bizneset e ndershme e të papërlyera me politikën e inkriminuar, e pësojnë vazhdimisht, ndërsa ligji në të shumtën e rasteve është i papërfillshëm. As misionet ndërkombëtarë nuk kanë pasur efektin e pritshëm, sepse rezistenca vendore ndaj sundimit të ligjit është e jashtëzakonshme. Raporti i Thelluar i Vlerësimit të Sistemit Gjyqësor në Kosovë, që u publikua dje, dëshmon gjithashtu se shteti ynë nuk ka arritur as të ketë të dhëna të sakta dhe statistika të përditësuara. Sipas vlerësimeve të këtij raport, ka mungesë efektshmërie te numri i lëndëve civile dhe ekonomike në procedurë kontestimore dhe numri i lëndëve administrative të pranuara në gjykatat e Shkallës së Parë dhe në Apel. Zvogëlimi i lëndëve të pazgjidhura caktohet vazhdimisht prioritet i Gjyqësorit, por në praktikë, rezultati është thuajse zero. Politikat kadrovike dhe buxhetore e rendisin Kosovën të fundit në listën e vendeve të rajonit e më gjerë, sa i përket administrimit dhe efikasitetit të sistemit të drejtësisë. Mungesa e të dhënave dhe hulumtimeve që do të nxirrnin në pah nevojat e gjykatave dhe prokurorive, për të shtuar efikasitetin, krijon një mjegull edhe më të madhe në sferën e zbatimit të ligjit. Përderisa që nga koha e UNMIK-ut, më pas e EULEX-it, kompetencat u transferuan në duart e zyrtarëve kosovarë, performance gjyqësore lë shumë për të dëshiruar. Asnjë rast i madh nuk ka përfunduar me ndëshkimin e të ashtuquajturve "peshq" të krimit e të korrupsionit. Politika e komandon, si çdo sektor tjetër, edhe drejtësinë, e për sa kohë funksionon kjo skemë kriminale, as që bëhet fjalë për drejtësi të vërtetë!

(Kosova Sot)

19 orë e 33 minuta më parë
26/05/18