Editoriali: Ahmeti mos t'i bëjë bisht përgjegjësisë për ndotjen

  • 01 February 2018 - 16:56
Editoriali: Ahmeti mos t'i bëjë bisht përgjegjësisë për ndotjen

Edhe pse Komuna e Prishtinës ndaloi qarkullimin e automjeteve në rrugët kryesore te Prishtinës, ndotja nuk shënoi ndonjë zvogëlim, sipas matjes që bëhet nga aparati i vendosur prej Ambasadës Amerikane. Vendimi i improvizuar i qeverisë së Shpend Ahmetit është vetëm një përpjekje e kotë e tij, për të mbuluar dështimin katërvjeçar dhe, me gjasë, paralajmërim për dështime të reja gjatë këtij mandati të ri. Prishtina, si ndër qytetet më të ndotura, asnjëherë nuk e ka pasur prioritet zvogëlimin e ndotjes. Në vend që të shtoheshin parqet dhe hapësirat e gjelbëruara, edhe në udhëheqjen e Ahmetit me klanin e tij lulëzoi gjithnjë e më tepër betoni. Pa bërë kurrfarë analize dhe pa nxjerrë asnjë konkluzion, në mënyrë krejtësisht joracionale, Komuna, në bashkëpunim me ministritë që drejtohen prej disa amatorëve të partisë së Behgjet Pacollit, ka krijuar një kaos në komunikacion. Për më keq, situata është rënduar sidomos në periferi, në hyrje e dalje të Prishtinës, në ato lagje, ku numër i madh veturash dje u panë të jenë parkuar vend e pa vend, kundërligjshëm. Megjithatë, kjo anarki as që i bën përshtypje kryetarit të Prishtinës, i cili po e tregon veten edhe tash, se është i pazoti ta drejtojë kryeqytetin. Ai bashkë me grupin e tij duhet të japin llogari se pse nuk është zgjeruar rrjeti i Termokosit, siç parashihej me projekt, gjë që do ta zvogëlonte ndjeshëm ngrohjen me thëngjill, që është ndër shkaktarët kryesorë të ndotjes. Po të kishte qenë e interesuar edhe partia e Ahmetit, sa hidhte gaz lotsjellës në Kuvend, do të kishte kërkuar që të zbatoheshin ligjet dhe rregullat e të përfilleshin standardet mjedisore nga ndotësit e mëdhenj industrialë, siç është KEK-u, ku vetëm B2-shi, emeton ndotje alarmante, për shkak të mospërdorimit të filtrave që janë të obligueshëm. Kjo ndotje alarmante në Prishtinë është përgjegjësi direkte e krerëve të Komunës, që janë treguar të pazotë për ta adresuar me kohë këtë problematikë kaq shqetë- suese. Atyre dhe pushtetarëve të nivelit qendror duhet t'u ndalohet hyrja në institucione, sepse ndotja më e madhe, në fakt, vjen pikërisht prej tyre!

(Kosova Sot)